Biznesmeni Bashkim Ulaj është një nga klientët kryesorë të Ministrisë së Infrastrukturës, ku ka fituar tendera në vlera miliona euro.
Koncesioni i rrugës Thumanë–Kashar është ndër më të diskutuarit si korruptiv. Për herë të parë në dosjen ndaj Belinda Ballukut, SPAK nxjerr komunikime që lënë të nënkuptohet se koncesioni për rrugën në fjalë konsiderohet si “dhuratë e jetës” për biznesmenin Ulaj.
Dosja hetimore
Në vijim të hetimit të këtij procedimi penal, nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “BlackBerry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, kanë rezultuar komunikime në aplikacionin “Signal Private Messenger” ndërmjet shtetases Belinda Balluku dhe shtetasit Evis Berberi, si më poshtë:
Në datën 15.06.2021, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“Isha me Bashkimin dje”.
Evis Berberi: “Si shkoi?”
Belinda Balluku: “Dhe i thashë kjo është sfida ime dhe e tij.”
Evis Berberi: “Po prandaj ndihej ndryshimi sot”.
Belinda Balluku: “Më tha që vinçi për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër”.
Evis Berberi: “Erdhi dje, sot shkonte te ura, se prej andej po kthehem”.
Belinda Balluku:
“Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë–Kasharin, ndaj ai do bëhet copë.
Do flasim pak, mund të bëhet shumë ushtar.
Është shumë i izoluar dhe i pashpresë, ndaj Agollin nuk e shiti kurrë dhe e bëri mbret”.
Evis Berberi: “Të vi sot të diskutojmë pak dhe për nesër në ora 9. S’ka se si ta shesë, kanë punuar gjatë”. Belinda Balluku:
“Se këta të tjerët janë të lidhur e të bërë gonxhe me njëri-tjetrin. Tregon karakter (po hajde, dërgohemi në 7.30, po marr…”,
(referohet mesazhit me tekst: “S’ka se si ta shesë, kanë punuar gjatë”).
Në orën 12:46, Evis Berberi: “Ok dhe çfarë kam përgatitur”.
Prokuroria e Posaçme thotë se, në lidhje me bisedën e mësipërme, nga hetimi rezulton se bëhet fjalë për shtetasin Bashkim Ulaj, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e shpallur fituese në procedurën koncesionare “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”, me vlerë të parashikuar të projektit 245,750,755 (dyqind e dyzetë e pesë milion e shtatëqind e pesëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë) euro, pasi rezulton se në datën 09.05.2022 është lidhur kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (Autoriteti Kontraktor) dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. (Koncesionari) dhe “G2 Infra” sh.p.k. (Shoqëria koncesionare), me objekt “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”.


