Mesa duket, faktet e dosjes Balluku – e mbajtur për disa ditë në fshehtësi nga Niko Peleshi në kasafortën e tij politike – fshehin të dhëna të frikshme. Të frikshme për të pandehurën, por po aq edhe për vetë qeverinë. Copëzat e informacionit që kanë dalë në publik, qoftë edhe vetëm për presionin ndaj dëshmitarëve, tregojnë se ajo çështje që nisi formalisht si një “Shkelje e barazisë në tendera” për tunelin e Llogarasë, në fakt përmban një skenar shumë më të madh: një projekt qeveritar të mirëfilltë mbi mënyrën e përdorimit të pushtetit nga kjo qeveri dhe nga i pari i saj. Ministrat, në këtë tablo, shfaqen thjesht si ekzekutorë, disa më besnikë, disa më rrufjanë por besnikë të të njëjtit skenar.
Që nga dita kur vendosi ta çojë në Kushtetuese pezullimin e Belinda Ballukut, përfshirja e drejtpërdrejtë e Edi Ramës është dëshmia më e qartë e kësaj skeme. Ai u investua jo vetëm juridikisht, por edhe politikisht, duke ushtruar presion publik të hapur, në sytë e mediave, për shtatë ditë me radhë, çdo mëngjes, duke i imponuar Gjykatës Kushtetuese se çfarë vendimi duhej të merrte. Dhe Gjykata e mori. Pesë anëtarë, të bindur apo të nënshtruar, pa asnjë arsyetim serioz, shkruan saktësisht atë që Edi Rama donte: pezullimin e vendimit të GjKKO-së, pra vijimin e ushtrimit të detyrës nga zëvendësja e tij. Fishekzjarret e tifozëve naive në Fier e Dibër e demaskuan këtë “fitore” të Ramës.
Ajo që nuk u parashikua prej tyre dhe ndoshta as prej shumicës dërrmuese të publikut ishte kundërpërgjigja “sy m’sy” (duke huazuar terminologjinë e Ramës) prej SPAK-ut. Çështja, ndërkohë, ishte zgjeruar nga një tunel i vogël në një vrimë të zezë, ku në vorbull përfshiheshin jo një, por shtatë lote të Unazës së Madhe në Tiranë. Thuhet madje se hetimet shtrihen edhe ndaj një koncesioni dhe në një sërë çështjesh të tjera të ngjashme, me personazhe të shumtë nga bota e biznesit dhe e medias. Një shtrirje e tillë, me aferë të dyshuara korruptive dhe shuma marramendëse, të çon pashmangshmërisht në përfundimin se nuk jemi thjesht para veprimeve të një ministri aventurier a të përkëdhelur qoftë, por me orkestrime të mirëfillta, skenarë të shpenguara të vetë kryeministrit dhe gjithë qeverisë socialiste.
Kërkesa për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres-deputete Balluku nga SPAK u justifikua qartë jo vetëm nga zgjerimi i hetimit, por edhe si një kundërpërgjigje ndaj presionit të hapur të kryeministrit dhe vendimit pasues të Gjykatës Kushtetuese, për ta mbajtur znj. Balluku tërësisht të paprekur nga hetimet, të qetë e të patrazuar në detyrë. Rama u investua personalisht. Shpiku edhe dokumente të Komisionit të Venecias që në fakt nuk ekzistonin. U përplas me shoqatën e gjyqtarëve, duke iu kujtuar pagat dhe të shkuarën. Shfrytëzoi madje edhe konjukturat e brendshme të Gjykatës Kushtetuese siç di vetëm ai për t’ia arritur qëllimit.
Por sot situata i është rënduar ndjeshëm. Përpëlitjet procedurale që po sajon për ta shtyrë këtë hallkë në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores e nxijnë dhe më shumë situatën ku ndodhet mazhoranca. Pas gjithë betejës për të mos e nxjerrë znj. Balluku nga vatha e qeverisë, qoftë përmes dorëheqjes, shkarkimit apo pezullimit , rrezikon që tani, paradoksalisht, ta dorëzojë me duart e veta para drejtësisë. Heqja e imunitetit për arrest, (qoftë edhe shtëpiak) nuk është gjë tjetër veçse një dorëzim me firmë personale të Edi Ramës. Dhe më pas, fundi nuk dihet as për znj. Balluku, as për atë vetë. Me gjasë, siç ka ndodhur dhe herë të tjera nëpunësit e vegjël të një ministrie me afera të mëdha, nën hetim, mund të flasin. Në fund të fundit, dy duar për një kokë janë. E njëjta qasje mund të vlejë edhe për rastin Balluku. Një gjë është e qartë: nëse dimensionet e këtyre aferave janë reale, siç pretendon SPAK, kjo nuk mund të jetë kurrsesi vepër autonome e një ministri të vetëm, qoftë edhe zv kryeministres. Duhet skenar, “modus operandi” dhe mbi të gjitha, vullnet e mbështetje politike kryeministrore për t’i realizuar të gjitha ato ç’ka janë në dosjen super voluminoze të Prokurorisë së Posaçme. Vetëm çështja penale e një tuneli, shtatë loteve të Unazës dhe ndonjë koncesioni multimilioner do të mjaftonin si paketë për një mbyllje simbolike në “Château d’If” me çelësa në det, si ajo e Kontit të Monte Kristos.
Sado zvarritje të sajojë mazhoranca socialiste në Kuvend, sado kohë të kërkojë mbrojtja dhe sado spirale të bëjnë pesë anëtarët e PS-së në Këshillin e Mandateve, herët a vonë do të përballen me pyetjen thelbësore: ta heqin apo ta mbajnë imunitetin e Zv/kryeministres? Mesa duket, sot ata ende nuk janë në gjendje t’i japin një përgjigje, sepse të dyja alternativat janë humbëse për ta. Mosheqja e imunitetit është, pa mëdyshje, shpallje publike lufte ndaj Reformës në Drejtësi, ndaj procesit të integrimit dhe ndaj partnerëve europianë e amerikanë së bashku, përveçse një akt i pastër vetëpërgjegjësie penale kolektive. Heqja e imunitetit, nga ana tjetër, rrezikon ta shndërrojë fundin e tunelit të errët të Ballukut në një vrimë të zezë që mund të përpijë çdo personazh të rëndësishëm të qeverisë socialiste, madje dhe vetë Kryeministrin të parin.
Mbetet rruga e tretë. Jo ajo e këshilluar nga Tony Blair por ajo e popullit që vjen nga gurra popullore që thotë : “mishi të piqet e helli të mos digjet”. Një rrugë ku Balluku të mos shndërrohet në rrezik për provat, dëshmitarët dhe procesin, kurse SPAK të akomodohet qetësisht në mbrojtje të integritetit të hetimeve. Paradoksalisht, kjo është ajo dhe zgjidhja e parë që iu ofrua Belinda Ballukut: pezullimi nga detyra e zv/kryeministres dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Dhe po paradoksalisht këtë çështje mund ta vendosë sërish Gjykata Kushtetuese më 22 janar. Nëse kjo gjykatë e rrëzon kërkesën e Kryeministrit, dy masat – pezullimi nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit – mbeten në fuqi, Belinda Ballukut i mbetet cilësia e deputetes dhe liria personale. Tek ky variant mund të gjendet një zgjidhje që kënaq mjaftueshëm nevojat e SPAK-ut për hetimin, por edhe pozicionin e brishtë të Ramës dhe Ballukut. Zvarritja që deputetët e PS-së kërkuan sot, përtej datës 22 janar, ndër të tjera synon pikërisht këtë: të pritet Gjykata Kushtetuese, t’i japë të drejtë ajo SPAK-ut dhe më pas Partia Socialiste, në Këshillin e Mandateve, pasi “të ketë studiuar provat”, do të arrijë në përfundimin se pezullimi nga detyra është masë proporcionale, ndërsa arresti në burg apo shtëpi është tejkalim mase. Kështu do gjejnë justifikimin që të mos heqin imunitetin deputetes Balluku. A nuk u ndoq i njëjti qëndrim edhe në rastin e Saimir Tahirit?
Vetëm se me këtë rast Edi Ramës i barra që deri më 22 janar, të dalë sërish çdo mëngjes në Facebook, në “Flasim” apo “Sy m’sy”, dhe të ushtrojë presion ( pozitiv kësaj radhe) mbi Gjykatën Kushtetuese për të marrë vendim të ndryshëm nga ai që i kërkoi me ngulm disa ditë më parë. Me këtë rast syzet e kuqe mund ti zëvendësojë me blu. Sepse siç thotë doktori: aleancat fluide janë ato që duhen bërë sa herë kriza troket ne derën tënde!


