Luani dhe ariu ikin nga Shqipëria, nisin ‘një jetë më të mirë’ në Gjermani

spot_img
Advertisements

Marrë nga Associated Press
Një luan dhe një ari të shpëtuar nga robëria në veri të Shqipërisë mbërritën në rezervat e kafshëve në Gjermani në fillim të dhjetorit, pasi autoritetet në Tiranë zbuluan se ata po mbaheshin ilegalisht si kafshë shtëpiake, në një pronë private.

Me amra, Erioni, një luan 3-vjeçar, dhe Flora, një ari 2-vjeçar, kanë nisur një jetë të re në Gjermani.

“Jemi shumë të lumtur që autoritetet konfiskuan kafshët dhe që tani kemi mundësinë t’i sjellim në Gjermani, ku ato mund të fillojnë nga e para dhe të jetojnë në kushte të përshtatshme për speciet”, tha Magdalena Scherk-Trettin, një menaxhere e lartë projekti përgjegjëse për shpëtimet në organizatën ndërkombëtare për mirëqenien e kafshëve FOUR PAWS.

Një ekip nga FOUR PAWS kreu shpëtimin e tyre pasi Agjencia Kombëtare Pyjore e Shqipërisë e gjeti luanin bazuar në videot e postuara në TikTok nga pronari i tij.

As autoritetet dhe as organizata nuk e kanë publikuar emrin e personit që i mbante ato si kafshë shtëpiake.
Veterinerët u dhanë anestezi kafshëve përpara se të ngarkoheshin në arka për udhëtimin e tyre të gjatë drejt Gjermanisë. Më 13 dhjetor, ata përfunduan një udhëtim 70-orësh nëpër disa vende evropiane. Erioni u vendos në një strehë për kafshë të egra në Gjermaninë juglindore dhe Flora në një strehë për arinj në veri të vendit, tha FOUR PAWS.

Organizata tha se të dy kafshët kishin qenë në gjendje të rëndë.
“Një kontroll fillestar vizual përcaktoi se Flora është e kequshqyer dhe ka probleme me dhëmbët, kështu që plani i saj i rimëkëmbjes është tashmë në proces”, tha organizata.
Pavarësisht udhëtimit sfidues, shpëtimi ia vlejti, tha Scherk-Trettin. “Jemi të kënaqur që i shohim këto kafshë të fillojnë jetën e tyre të re.

Tregtia e paligjshme e kafshëve të egra mbetet një problem sistemik në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin, ku arinjtë në veçanti, si dhe kafshët ekzotike, mbahen në kafaze në restorante ose në prona private me pak ose aspak kujdes nga ekspertët.

Origjina e Erionit dhe Florës mbetet e paqartë. FOUR PAWS tha se beson që luani është viktimë e trafikimit të paligjshëm të kafshëve të egra, ndërsa ariu ka të ngjarë të jetë rrëmbyer pa leje nga natyra.

“Shpëtimi nxjerr në pah nevojën urgjente të Shqipërisë për të luftuar tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra dhe mbajtjen private të tyre”, tha organizata në një deklaratë.

Legjislacioni i dobët, boshllëqet ligjore dhe zbatimi i dobët i ligjit kanë kontribuar në robërinë private dhe tregtinë e përhapur të kafshëve të egra në Shqipëri, sipas FOUR PAWS, i cili vlerëson se më shumë se 60 mace të mëdha ende mbahen në kushte të këqija në Shqipëri.

Ligji shqiptar u lejon individëve ose organizatave të mbajnë ekzemplarë të kafshëve të egra nëse ato kanë lindur në robëri – për shembull në një kopsht zoologjik ose në një strukturë të specializuar. Speciet jo-vendase të lindura jashtë Shqipërisë gjithashtu mund të mbahen nëse mund të sigurohen dokumente që vërtetojnë se ato janë fituar nga qendra të specializuara të mbarështimit dhe tregtisë.

Sajmir Shehu, një menaxher projekti në “Four Paws”, tha se ligjit i mungon një kuadër i rreptë në të cilin organizata si e tija mund të parandalojnë mbajtjen e kafshëve të egra në robëri.

Ligji gjithashtu lejon konfiskimin e kafshëve nëse nuk përmbushen standardet e mirëqenies ose veterinare, por nuk vendos sanksione ndaj pronarëve të kafshëve shtëpiake ekzotike

Latest articles

Related articles