Fiona Papajorgji është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese, duke marrë një mandat trevjeçar në krye të këtij institucioni.
Ajo ishte e vetmja kandidate që kishte shprehur interes për këtë post pas largimit të Holta Zaçajt.
Profil
49-vjeçarja nga Vlora është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali kurse në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit.
Znj. Papajorgji në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete kurse në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar.


