Distancimi moral dhe politik i partive nga të padenjët e pushtetit – Dr. Erion Piciri

spot_img
Advertisements

Dr. Erion Piciri

Anthony Weiner ishte një politikan amerikan, të cilit i pëlqente t’u dërgonte grave dhe vajzave email-e dhe foto me përmbajtje seksuale në rrjetet sociale, ndonëse ishte i martuar. Në maj të vitit 2011, Weiner, në atë kohë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, i dërgoi edhe një të reje gjimnaziste 17-vjeçare një foto erotike. Fillimisht e mohoi, duke aluduar se i kishin hakeruar adresën, por pas investigimeve mediatike, ku u zbuluan edhe gjashtë raste të tjera, u detyrua ta pranonte. Brenda disa ditësh, udhëheqësit kryesorë të partisë, nga Drejtuesja e Dhomës së Përfaqësuesve te lideri i shumicës në Senat, i kërkuan dorëheqjen për çështje etike, përfaqësimi të papërshtatshëm institucional, cënim të besimit të zgjedhësve dhe reputacionit të Kongresit. Nuk kishte të dhëna për shkelje ligjore, por gënjeshtrat ndaj partisë, medias dhe publikut, si dhe tronditja që i kishte provokuar gruas së tij shtatzënë, u konsideruan të papranueshme për rolin e tij politik. Përballë distancimit partiak dhe presionit mediatik, ai u dorëhoq 20 ditë pas shpërthimit të skandalit.

Për një njeri të thjeshtë, këto do të ishin çështje të jetës private, sferës së marrëdhënieve bashkëshortore dhe luhatjeve të personalitetit, por për përfaqësuesin politik, që e ka të kufizuar privatësinë brenda mureve të shtëpisë, gjithçka tjetër ka interes dhe influencë publike. Ai apo ajo vishet me një aureolë të përfituar nga detyra dhe institucioni dhe paraqet një model me ndikim në jetën e të tjerëve. Për këtë arsye, partitë moderne distancohen nga individët sjellja e të cilëve u kundërvihet paradigmave morale, normave ligjore dhe parimeve demokratike. Ato shërbejnë si një filtër pastrimi, u japin mbështetje politike dhe u servirin funksioneve publike personalitete të denja që ruajnë besimin, legjitimitetin dhe reputacionin e institucioneve të shtetit.

Solidarizimi autoritar-kleptokratik me përfaqësuesit e padenjë të pushtetit

Standardet e botës demokratike duket se nuk kanë ndjeshmëri te partitë dhe qeveritë në Shqipëri, as kur bëhet fjalë për raste që tronditin opinionin publik. Kohët e fundit, një ministre është marrë e pandehur nga prokuroria speciale kundër korrupsionit për manipulim tenderash dhe media flet për akte të rënda korruptive, me shpërdorime prej dhjetëra milionë eurosh, por partia qeverisëse e mban në detyrë. Kohë më parë, një kryebashkiak, dikur yll në ngjitje i politikës, u arrestua me kërkesë të prokurorisë speciale pas zbulimit të një skeme zhvatjeje të parasë publike, ku për leje ndërtimi dhe tendera të dhëna nga ky pushtetar, sipërmarrësit paguanin komisione te gruaja, e cila kishte hapur një rrjet firmash dhe organizatash jofitimprurëse, me bilance fiktive dhe fitime shumëmilionëshe. Ecja politike në krah të kundërt me vlerat bashkëkohore është kthyer në normalitet. Figura të larta politike, të kapura me vjedhje intelektuale në punime shkencore, në vend të largimit, janë promovuar si ministra të arsimit dhe shkencës. Ministra të kapur në kamera duke folur për leje dhe ryshfete jo vetëm që nuk janë përjashtuar, por, përkundrazi, mbështeten nga aleancat politike për të marrë postet e larta të shtetit.

Solidarizimi i pandalshëm me keqbërësit e pushtetit dhe distancimi i shpejtë dhe i përhershëm nga individët e dijshëm e të virtytshëm reflekton degradimin moral të partisë politike të kohës, një reminishencë e dominimit totalitar, ku synimi ishte të krijohej një masë mediokre besnikësh me mungesë arsyetimi, që i impononin shoqërisë vullnetin uniform të prijësit dhe izolonin zërin e lirë të arsyes. Duket se, me kohë, sistemi diktatorial ideologjik u transformua në autoritar kleptokratik, ruajti unitetin e klanit rreth pushtetit dhe krijoi një inxhinieri politike për zhvatjen e publikes, për pasurim individi dhe grupi, e cila do t’u garantonte jetëgjatësinë në krye të shtetit.

Nga koncepti demokratik i partisë politike si bashkim i vullnetshëm individësh që synojnë marrjen e pushtetit për të jetësuar qëllimet e përbashkëta dhe për t’i dhënë shtetit një profil moral e ligjor, si model të bashkëjetesës së gjerë shoqërore, kemi rrëshqitur drejt devijacionit autoritar-korruptiv, ku partia kthehet në një fortesë të prijësit dhe grupit të tij, ku projektohet kapja, shfrytëzimi dhe përjetësimi i pushtetit të tyre, transformimi i rendit ligjor dhe qeverisës në funksion të interesave private të klikës ku bëjnë pjesë. Kështu, partia e interesit publik kthehet në parti të interesit privat, partia e shumicës në parti të individit dhe pakicës, partia e nderit në parti të zhvatjes, duke humbur dobishmërinë publike dhe duke u kthyer në një mjet destruktiv që rrënon institucionet, besimin publik te qeverisja dhe vetë bashkëjetesën e komunitetit. Kur humbet sensi i së përbashkëtës, ligjit dhe moralit, humbet kuptimi i komunitetit politik, i ndarjes së roleve, i drejtimit dhe i bindjes së anëtarëve të bashkësisë. E gjitha kjo shoqërohet me manipulimin profesional të opinionit publik nga aktorët e pushtetshëm, asocimin konstant me patriotizmin e stisur dhe moralin e lartë qeverisës, vetëidentifikimin me simbole me pranueshmëri të gjerë sociale, si Rilindja Kombëtare, veri-atlantizmi apo integrimi europian. Po a tregon kështu Europa?

Distancimi demokratik nga përfaqësuesit e padenjë të pushtetit

Në Çeki, lidershipi i Partisë Social Demokrate (ČSSD) i kërkoi menjëherë dorëheqjen dhe votoi si parti për heqjen e imunitetit të David Rath (maj 2012), guvernatorit të rajonit të Bohemisë Qendrore, i ndaluar nga policia dhe prokuroria për ryshfet dhe abuzim me tenderat qeveritarë. Për rastin, kryetari i partisë, Bohuslav Sobotka, do të shprehej: “fakti që policia dhe zyra e prokurorit të shtetit konfirmuan spekulimet që dolën këtë mëngjes do të thotë fundi i karrierës së David Rath në politikë dhe në socialdemokracinë çeke.” Në Francë, Partia Socialiste (PS) i kërkoi dorëheqjen dhe e përjashtoi nga radhët e saj Jérôme Cahuzac (prill 2013), ministrin e buxhetit, kur plasi skandali i llogarive offshore dhe evazionit të tij fiskal. Disa vite më parë (korrik 2019), në Kroaci, ministri i Administratës Publike, Lovro Kuščević, dha dorëheqjen në qeveri dhe parti si pasojë e zbulimeve mediatike për pasuri të padeklaruara dhe dyshimeve për keqpërdorim të detyrës. Kryeministri Andrej Plenković dhe Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), në pushtet, u distancuan dhe pranuan dorëheqjen e tij për të ruajtur besimin publik. Vetë ministri do të deklaronte se ishte një politikan i përgjegjshëm me karrierë të gjatë dhe se “mbulimi mediatik negativ i pabazë që kam marrë është një rëndesë e madhe për partinë dhe qeverinë. Nuk dua të jem një barrë që do të pengojë punën e mirë që po bën kjo qeveri.”

Në të njëjtën linjë, në Gjermani, CSU u distancua nga ministri i mbrojtjes Theodor zu Guttenberg pas skandalit për plagjiaturë; në Poloni, qeveria e udhëhequr nga Ligj dhe Drejtësi (PiS) u distancua nga Marek Chrzanowski pas akuzave për përfitime të papërshtatshme; në Slloveni, Partia Popullore Sllovene (SLS) pezulloi Franc Kangler mes hetimeve për korrupsion; në Francë, Republikanët u distancuan nga kandidati presidencial François Fillon kur dolën të dhëna mbi punësimet fiktive të gruas në kabinetin e tij parlamentar. Raste të ngjashme i gjen në çdo vend të Bashkimit Europian. Partitë demokratike nuk presin derisa të dënohen, por kanë distancim të menjëhershëm kur të dhënat e medias janë bindëse apo kur fillon hetimi gjyqësor. Të inkriminuarit e pushtetit mund të mos kenë karakter dhe ndërgjegje për të dhënë dorëheqje, por partitë u tërheqin mbështetjen politike. Ky është një akt higjienizimi i institucioneve publike, si dhe heqje e presionit ndaj organeve të drejtësisë, që të inkriminuarit e përdorin si mburojë dhe trysni ndaj dëshmitarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Shumë i përmenduri prezumim i pafajësisë, i trajtuar në nenin 6 § 2 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, është një koncept ligjor, por jo udhëzues i qëndrimeve politike. Ai lidhet me trajtimin e të akuzuarit në gjykatë dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të individit nga paragjykimi në proceset gjyqësore, derisa fajësia t’i provohet ligjërisht në procese të drejta dhe vendime të formës së prerë të gjykatave. Kjo nuk vlen për distancimin politik dhe moral të partive. Politika nuk bën gjyqe, nuk vendos fajësi apo pafajësi ligjore, por mbron standarde dhe norma; ka obligimin të krijojë, ruajë dhe konsolidojë besimin e publikut te funksionimi i institucioneve shtetërore, të kontribuojë, përmes sjelljes së denjë dhe ushtrimit me integritet të detyrave, në mirëmbajtjen e ndërgjegjies kolektive. Politika, media dhe opinioni publik pozicionohen bazuar në ngjarjet dhe faktet e pranuara gjerësisht dhe luajnë rolin e tyre për të ruajtur shëndetin e institucioneve dhe shoqërisë. Partisë dhe politikanit nuk u shkon të vendosin peshën e autoritetit që përfaqësojnë për të akuzuar dikë padrejtësisht, por kanë obligimin të mbajnë qëndrime të qarta për devijimet e dëshmuara në sferën politike.

Anthony Weiner nuk u dënua për rastin e komunikimeve të papërshtatshme me të renë dhe disa gra të tjera në vitin 2011, por për një rast tërësisht tjetër për ngacmim ndaj të miturve në vitin 2017, ndërkohë, partia ishte distancuar prej tij qysh në krye të herës, gjashtë vite më parë, kur e zbuloi media. Po kështu, edhe Jérôme Cahuzac u dënua me vendim të formës së prerë në vitin 2018, pesë vjet pas përjashtimit nga partia dhe detyra publike. Situatë e ngjashme edhe me David Rath, i cili dënimin përfundimtar e mori në vitin 2019, por partia i ndau rrugët me të shtatë vjet më parë. Pushtetari duhet të përballet pa mburojë politike në rrugën e tij apo të saj drejt (pa)fajësisë penale dhe, në rast se del i pastër, t’i rikthehet skenës publike me legjitimitet të plotë.

Qëndrimi politik mbi bazën e moralit, jo besnikërisë së paprinciptë ndaj prijësit dhe klanit

Shpërdoruesit e pushtetit në Shqipëri janë një lloj i veçantë, që dallojnë nga të ngjashmit e tyre në Bashkimin Europian. Kur i hedh një sy të inkriminuarve në vendet europiane, vë re se shkeljet e tyre janë kryesisht individuale, thyerje personale të ligjit dhe moralit, ndërsa te ne janë si bashkëpunime grupesh të zgjeruara kriminale në zyrat e shtetit, të shtrira në linjë vertikale dhe horizontale, në formën e një shumëkëmbëshi politik që e vështirëson distancimin partiak. Njëherësh, duke vepruar në një mjedis ku ata ndihen shumicë, pa ndjenjë turpi për çfarë kanë kryer, nuk i ndahen postit dhe partisë, hyjnë e fshihen mes turmës, kërkojnë mbrojtje dhe nxisin mbështetësit të demonstrojnë, përdorin ekzekutues me pagesë karakteresh nga radhët e gazetarëve, avokatëve dhe lobistëve për të frikësuar prokurorë dhe gjykatës. Përpos të tjerash, ka një kurth që të inkriminuarit politikë i ngrenë shoqërisë përmes polarizimit, fanatizimit të organizatës politike, inskenimit të situatave ku popullsia të ndahet në kampe antagoniste, që u pamundëson krijimin e një bazamenti vlerash të përbashkëta, nga ku mund të gjykonin bashkërisht, përtej diversitetit politik dhe ideologjik, shkeljet dhe shkelësit e normave dhe kodeve morale të një vendi. Kështu, individi mbetet i ndarë në këto llogore, nga ku çdo lëvizje për normat do të konsiderohet prishje e unitetit, çdo bashkëpunim përtej kolonisë si pjesë e tradhtisë. Si pasojë e këtij polarizimi, megjithëse anëtarët dhe votuesit e një partie dëgjojnë për skandalet e pushtetarëve të partisë së tyre, sërish heshtin dhe u japin votën. Njerëzit bien pre e një truku, të cilin e ndriçojnë edhe gjetjet e Jankowski, Juen dhe Lewandowsky. Sipas një studimi të tyre në Gjermani, ata vërejnë se mbështetësit e partive më radikale kanë më pak gjasa ta hedhin votën për një parti tjetër, se nuk e shohin si alternativë si pasojë e armiqësive në kohë, ndonëse mund ta shohin mjaft pozitivisht një kontrakandidat, duke i bërë të korruptuarit të sigurtë në këtë bazin të polarizuar electoral. Dëmi që i sjellin shoqërisë shkon përtej abuzimit me detyrën, sepse njëkohësisht ndodh edhe një infektim në masë si pasojë e modelit të krijuar në krye të shtetit.

Titullarët, përfaqësuesit e shoqërisë në funksione publike, mbartin vlerë simbolike, kanë rolin e modeluesit të sjelljes dhe ndërgjegjies sociale, kontribuojnë në besimin që njerëzit kanë te institucionet shtetërore. Teoria e mësimit social, e elaboruar nga Albert Bandura, demonstron se “shumica e sjelljeve që njerëzit shfaqin mësohen, qoftë me dashje ose pa dashje, nëpërmjet ndikimit të shembullit”, sidomos prej atyre që i shohim si figura të mediatizuara. Për Bo Rothstein dhe Jan Teorell, një ndër ato sjellje me impakt të gjërë publik është korrupsioni i zyrtarëve publikë, i cili ndikon në sjelljen e qytetarit të thjeshtë duke ulur besimin te autoritetet dhe te njëri-tjetri, duke i fshirë të gjitha barrierat dhe rregullat e jetës, duke i krijuar bindjen se, si ata lart, duhet të marrë pjesë në korrupsion, ryshfet dhe nepotizëm për të marrë atë që i takon në shoqëri.

Duhet një ofensivë e të denjëve kundër të padenjëve në parti dhe institucionet publike. E kam huazuar këtë fjalë nga disa besimtarë shqiptarë, të cilët e përdorin fjalën “i denjë” si shenjë miratimi për dikë që zgjidhet në detyrat e larta hierarkike të institucionit të tyre fetar. Ky koncept duhet të jetë pjesë e fjalorit partiak dhe qeveritar. Duhet ndarë qartë kryetari, ministri apo kryeministri i denjë nga kryetari, ministri apo kryeministri i padenjë për funksione publike, në një përkufizim të denjësisë politike që i përafrohet botëkuptimit të vendeve protestante, me kulturë anglo-saksone apo me demokraci jetëgjatë e të konsoliduar, të cilat, sipas Daniel Treisman, gëzojnë shkallë më të ulët të korrupsionit. Krijimi i një kulture të re politike me bazë principin mund të ndryshojë përfaqësimin dhe qeverisjen e vendit. Në një studim eksperimental, fokusuar në realitetin spanjoll, ku Anduiza, E., Gallego, A. dhe Muñoz, J. arrijnë në përfundimin se “megjithëse përkatësia partiake mund të nxisë tolerancën ndaj praktikave të korrupsionit të së njëjtës parti, anësia partiake eliminohet kur ndërgjegjësimi politik është i lartë”. Në konkluzione të përafërta arrin edhe studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në burokracinë shqiptare, ku vihet re se punonjësit e administratës me njohuri rreth rregullave të integritetit janë më të vëmendshëm ndaj parregullsive, por tolerimi i korrupsionit vjen nga besnikëria ndaj grupit, nga frika, hakmarrja dhe mosbesimi për reagimin e institucionit.

Në këtë kontekst, partia dhe lidershipi i saj janë përgjegjës për komunikimin, vendosjen dhe mbikëqyrjen e kornizës morale të institucionit, japin shembullin e respektimit të standardeve dhe të ligjit dhe bëjnë shembull përmes distancimit dhe largimit të kujtdo që shkel normat ligjore dhe etike të funksionimit të bashkësisë. Mbështetja politike ndaj pushtetmbajtësit duhet të jetë e ndërlidhur me etikën në ushtrimin e funksionit, impersonalizimin e kuadrit ligjor dhe ekzekutiv, zbatimin e njëllojtë të ligjit, ku vetë titullarët t’i nënshtrohen njësoj si të tjerët, ruajtjen e një profili me integritet të lartë që rrit dhe nuk cënon reputacionin e institucioneve. Për të ndërtuar një vend të integritetit, në funksion të interesit publik, marrëdhëniet duhet të ndërtohen rreth parimit, normës dhe ligjit, jo rreth besnikërisë së paprinciptë ndaj prijësit dhe grupit.

Latest articles

Related articles