E lajmëruar që në muajin tetor, Administrata Tatimore ka nisur Planin Operacional për sektorin e ndërtimit, me qëllim monitorimin dhe kontrollin e praktikave financiare në këtë sektor.
Fillimisht, Administrata Tatimore ka dërguar njoftime për kompanitë e ndërtimit, në kuadër të një fushate informuese që do të zgjasë 30 ditë. Në muajin janar, pas përfundimit të fazës 30-ditore informuese, do të nisin kontrollet për subjektet që nuk i janë përgjigjur thirrjeve të administratës tatimore.
Për nisjen e këtij procesi, bizneset janë njoftuar përmes sistemit e-Filing. Në njoftimin e dërguar, Administrata Tatimore u kërkon tatimpaguesve të përmbushin me kujdes detyrimet e tyre ligjore, përfshirë deklarimin e punonjësve, pagave, transaksioneve dhe përdorimin e software-ve të certifikuara të fiskalizimit.
“Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit në Sektorin e Ndërtimit
Administrata tatimore disponon të dhëna për Ju, të marra nga APT, Organet e qeverisëse
Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin në lidhje me:
Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar;
Deklarimi real i pagave mbi bazën e profesionit dhe tregut të Punës;
Për çdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj lëshimin e faturave te fiskalizuara;
Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore;
Deklarimin me saktësi e të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit;
Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve;
Përdorimin vetëm të software-ve të certifikuara të fiskalizmit”, thuhet në njoftimin e administratës tatimore dërguar bizneseve.
Por kontabilistët dhe përfaqësues të kompanive të ndërtimit ngrenë shqetësimin se njoftimet që vijnë nga Administrata Tatimore, si ky i fundit për sektorin e ndërtimit, janë shpesh me një ton paralajmërues edhe pse nuk përmbajnë akuza të drejtpërdrejta për evazion fiskal apo shkelje ligjore. Ata pohojnë se këto njoftime po krijojnë presion dhe stres te bizneset e rregullta.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi pak ditë më parë në një takim me kompanitë anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë se pas përfundimit të fazës 30-ditore informuese, në muajin janar do të nisin kontrollet për subjektet që nuk i janë përgjigjur thirrjeve të administratës tatimore.
Sipas tij, gjatë kësaj faze bizneset do të informohen qartë mbi kërkesat e administratës, ndërsa kontrollet do të fokusohen në çmimet e shitjes, deklarimet e pagave dhe aktivitetin aktual.
“Në lidhje me përpjekjet tona të harmonizimit, do të nisim në janar me sektorin e ndërtimit. Qasja jonë do të jetë e ngjashme me atë që kemi pasur më parë: do të fillojmë me një fazë informimi 30-ditore, duke sqaruar çfarë kërkojmë. Gjatë kësaj faze do të dërgojmë një numër të madh njoftimesh për të informuar dhe edukuar tatimpaguesit e identifikuar nga analiza e riskut. Për bizneset që nuk përgjigjen ndaj thirrjeve tona, do të nisin kontrollet, me fokus tek aktiviteti aktual si çmimet e shitjes, deklarimet e pagave, etj.
Si administratë tatimore, përpiqemi të mos e shohim veten si zbatues të detyrimit, por si edukatorë, lehtësues dhe avokatë të një sistemi tatimor të drejtë. Çdo ndërveprim që kemi me tatimpaguesit mund të formësojë perceptimin e tyre për misionin tonë, ndaj është e rëndësishme të kuptojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri se si ta bëjmë përvojën tuaj tatimore sa më të lehtë dhe mbështetëse, si të ruajmë standardet më të larta etike në veprimtarinë tonë, si të vlerësojmë dhe rafinojmë rregullisht praktikat tona për t’i përshtatur me modelet më të mira dhe prirjet e r


