Eksperti i Sigurisë, Ilir Kulla: Rama i rrethuar nga Amerikanët, Shqipëria rrezikon sanksione

spot_img
Advertisements

I ftuar sonte në emisionin “Të Pashoq”, analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla bëri deklarata të forta, duke përshkruar një situatë kritike dhe të rrezikshme për stabilitetin politik të vendit.

Sipas tij, kërkesa e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese kanë hapur një konflikt të ri të hapur mes Qeverisë dhe Prokurorisë, konflikt që po shndërrohet në betejë pushtetesh.

Kulla u shpreh se përplasja Qeveri–SPAK do të ketë fitues, por paralajmëroi se rruga drejt këtij fundi mund të sjellë pasoja të rënda politike dhe ndërkombëtare.

Ai theksoi se kryeministri Edi Rama ka gabuar me konceptin e qeverisë jo politike dhe se, në kushtet aktuale, duhet një reformim i thellë i kabinetit, deri në 90%, për të shmangur përshkallëzimin e krizës.

Në studio, Kulla hodhi një paralajmërim të fortë: nëse kryeministri vendos të përshkallëzojë luftën me SPAK-un, Shqipëria rrezikon sanksione nga partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, Rama ndodhet sot në një situatë të ngjashme me atë të Sali Berishës në vitin 1999, nën presion të brendshëm dhe vëzhgim të rreptë nga jashtë.

Analisti deklaroi se Ramën mund ta shpëtojnë vetëm dy skenarë ekstremë: zgjedhje të parakohshme ose një pakt politik me opozitën, madje deri te ideja për të prekur ekzistencën e SPAK-ut, çka do të sillte tronditje të forta institucionale. Ndërkohë, Kulla kritikoi ashpër edhe klasën politike, duke thënë se Rama dhe Berisha kanë shkatërruar partitë politike, kanë vrarë debatin e brendshëm dhe i kanë hapur rrugë populizmit që sjell destabilitet.

Duke folur për SPAK-un, ai theksoi se pritshmëritë janë shumë të larta, por paralajmëroi se përplasjet e vazhdueshme me qeverinë dhe shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut mund të çojnë drejt kolapsit të besimit publik.

Në planin ndërkombëtar, Kulla u shpreh skeptik për të ardhmen e Bashkimit Europian, duke theksuar se Europa po vuan pasojat e vendimeve të liderëve të paaftë dhe se, pa reflektim të thellë, anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet një objektiv pa kuptim real

Latest articles

Related articles