Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën për lejimin e përkohshëm të Erion Veliajt për të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Në vendimin e firmosur nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, thuhet se kërkesa nuk përmbush kriteret ligjore për dhënie lejeje të veçantë, pasi legjislacioni parashikon raste të kufizuara si ngjarje të rënda familjare apo arsye shëndetësore.
SPAK vlerëson se pjesëmarrja në një mbledhje institucionale nuk justifikon përjashtim nga rregullat e paraburgimit, duke rrëzuar kështu kërkesën e paraqitur nga Këshilli Bashkiak.
PERGJIGJA
Në Tiranë, viti 2025, muaji Dhjetor, data 17. Ne Altin Dumani dhe Ols Dado, Prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u njohëm me kërkesën e nënshkruar nga Sekretari i Këshillit Bashkiak Tiranë, me nr. Prot. 42497/2 datë 16.12.2025,
KONSTATUAM
Se anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, kanë paraqitur kërkesë për lejim të përkohshëm për pjesëmarrje fizike të të pandehurit të paraburgosur Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak
që do të zhvillohet në një nga datat 16 deri në 18.12.2025. Në lidhje me këtë kërkesë, duhet mbajtur në konsideratë fakti se ligjvënësi, referuar ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, neni 73 pika 1 dhe 2, ka përcaktuar: se “I burgosuri ka të drejtën të përfitojë leje të veçantë në rast të sëmundjeve të
rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë për të dënuarinjepet nga Drejtori i Institucionit, ndërsa për të paraburgosurin jepet nga Drejtori i Institucionit, me pëlqimin paraprak të prokurorit. Gjithashtu, bazuar në VKM nr. 209 datë 06.04.2022 “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”, nenet 101-105, konstatohet i njëjti rregullim përsa i përket rasteve të lejeve të veçanta, të cilat janë shterruese, duke referuar përsëri tek sëmundjet e rënda të cilat rrezikojnë jetën e 1 anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Në këto kushte, arrihet në përfundimin se kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 16- 18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës. Për këto arsye, bazuar në nenin 73 pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 81/2020 si dhe VKM nr. 209 datë 06.04.2022,
VENDOSËM
- Mosdhënien e miratimit paraprak në lidhje me Kërkesën për Leje të Veçantë, përsa i përket pjesëmarrjes fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datat 16-18 të muajit në vazhdim, të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj.
- Të njoh me këtë vendim kërkuesin.


