nga Gjergji Nika
Zgjedhjet e pjesshme vendore, me kandidatë “apolitikë” të servirur si zgjidhje emergjente, nuk ishin tregues hapjeje i partisë, as bashkëpunimi.
Ato ishin simptomë e krizës së thellë të Partisë Demokratike.
PD u fsheh pas figurave neutrale, pavarësisht se duhet të ishte mendjehapur e të kishte kandidatë politikë, sepse nuk prodhon dot më politikë, nuk gjeneron dot as edhe ide, nuk përbën më dot as alternativë serioze për rrëzimin e Ramës.
Ka vite që PD e ka humbur identitetin, besimin dhe guximin për t’u përballur me realitetin.
E kam thënë me kohë: “Në vend që të prodhojë figura politike me integritet, vizion dhe profil publik, PD zgjedh rrugën e shkurtër: kandidatë pa ngjyrë, pa histori politike, pa konflikt me pushtetin, ose në sintoni të plotë me pushtetin, pra “të padëmshëm”.
Kjo nuk është hapje, as reformim. Ky është dorëzim i heshtur. Ngaqë politika nuk bëhet me njerëz që s’duan të duken politikë, por me njerëz që duan, dinë e mbajnë përgjegjësi politike.
E njëjta logjikë u shfaq edhe në dhënien e firmave për Avokatin e Popullit. Një proces që duhej të ishte shprehje parimore e opozitarizmit, u kthye në tregues konfuzioni dhe rreshtimi pa busull. Firmat u dhanë jo mbi bazë parimesh, por mbi bazë pazari, presioni apo frike partiake. Pastaj situata degradoi në portokalli.
I dhamë, por i tërheqim firmat. U gënjyem, por kërkojmë ndjesë. Ndërkohë “Ta gëzoni Avokatin e Popullit “!
E gjithë kjo situatë absurde kafkiane demoralizon dhe largon edhe demokratin më të flaktë, pasi kur opozita humbet sensin kritik dhe shndërrohet në notere të proceseve të dyshimta, ajo pushon së qeni opozitë.
Ndërkohë konflikti i hapur në kryesinë e PD dhe më media, Noka–Salianji është pasqyra më e qartë e kësaj gjendjeje.
Jo ngaqë individët kanë mendime të ndryshme (kjo do të ishte shenjë shëndeti në PD), por sepse konflikti nuk është ideor, nuk është programor, nuk është për vizionin e PD-së.
Është konflikt për rreshtim, për besnikëri, për mbijetesë brenda një strukture që ndëshkon mendimin ndryshe dhe shpërblen bindjen pa kushte. Në një parti normale, debati është vlerë; në PD-në e sotme, debati shihet si tradhti.
Partia Demokratike nuk ka nevojë për rreshtim ushtarak, as për disiplinë verbale, as për figura që duartrokasin në kor. Ka nevojë për reformim të vërtetë, për riorganizim nga baza, për rikthim të vlerave themeluese: liri mendimi, meritokraci, integritet moral dhe politik, për hapje të vërtetë dhe rrëzimin e idhujve të rremë.
PD ka nevojë për ringritje, për guxim, jo për retushim dhe heshtje.
Ka nevojë për opozitarizëm real, jo për antivlera të ambalazhuara si “unitet”.
Pa këtë moment kyç të historisë së tranzicionit tonë, PD rrezikon të mbetet një emër pa përmbajtje, një strukturë pa shpirt, një opozitë pa opozitarizëm.
Dhe historia politike mban mend ato parti që patën guximin të reformohen, të qarkullojnë elitat, të ndryshojnë dhe të dinë të jenë me vlerat.


