Gjatë natës së kaluar, një supermarket në zonën e Kryebushatit, Bashkia Vau-Dejës, u përfshi nga flakët e zjarrit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, kur zjarrin e përhapur me shpejtësi e vunë re fqinjët dhe autoritetet lokale.
Në vendngjarje mbërritën me urgjencë disa ekipe zjarrfikëse nga Shkodra, Vau-Dejës dhe Lezha, të cilët punuan orë të tëra për të frenuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit te objektet pranë.
Supermarketi u shkrumbua pothuajse plotësisht, ndërsa vlerësohet se dëmet materiale janë të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet asnjë i lënduar, pasi objekti ishte i mbyllur gjatë incidentit.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të panjohura, dhe autoritetet pritet të kryejnë hetimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.


