Partia Lëvizja e Legalitetit mori pjesë në takimin e partive opozitare, organizuar në kuadër të dakordësimit për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, kreu i PLL Shpëtim Axhami mbajti një qëndrim publik.
Në fjalën e mbajtur në këtë tryezë ndër të tjera theksova:
Përshëndesim këtë takim të përbashkët dhe e vlerësojmë faktin se Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe ai i Reformës Territoriale këtë herë janë ngritur në kohën e duhur. Urojmë që edhe ndryshimet e shumëpritura të miratohen po ashtu në kohën e duhur e jo në momentet e fundit në prag të zgjedhjeve.
Për PLL, miratimi i ligjit zgjedhor dhe ai i ndarjes administrative ka rëndësi të veçantë. Pas shumë vitesh, urojmë të kemi një Kod Zgjedhor që garanton rritjen e standardeve demokratike dhe shëndoshjen e pluralizmit politik, në mënyrë që vendi ynë të ketë më në fund zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një çështje thelbësore për ne mbetet ndryshimi i sistemit zgjedhor, kuptohet ne kemi deklaruar sistem proporcional kombëtar ose me tre-katër rajone, në mënyrë që të mos kemi më situata ku një subjekt që merr 100 mijë vota të shpërndara sikur në mënyrë homogjene në 12 qarqe nuk arrin të i përkthehet ky numër votash në asnjë mandat.
Po ashtu, ndarja e re administrative mbetet një çeshje tjetër kryesore ku kjo duhet të garantojë afrimin e shërbimeve për çdo qytetar dhe përmirësimin e çdo infrastrukture rurale, në interes të popullimit të këtyre zonave dhe jo braktisjen e tyre për shkak të mungesës së këtyre shërbimeve.
Urojmë që këto tryeza të jenë periodike dhe konstruktive dhe çdo ndryshim të jetë fryt i konsensusit dhe i propozimeve teknike të blra nga çdo force politike, dhe jo marrëveshje e kufizuar mes atyre që kanë mundësinë numerike për miratimin e tyre, ashtu si ka ndodhur herë pas here.
Faleminderit.


