PS, Kuko: Mungon transporti arsimor për fëmijët me autizëm në Korçë

spot_img
Advertisements

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, theksoi në foltoren e Kuvendit detyrimin institucional dhe moral për të përmirësuar aksesin dhe mundësitë për këtë kategori qytetarësh.

“Dita e 3 dhjetorit e personave me aftësi të kufizuara më kujton detyrimin moral dhe institucional për të kthyer vëmendjen tek ata që shpesh kalojnë në heshtje, megjithëse sfidat e tyre janë ndër më të mëdhatë”, tha Kuko.

Deputetja nënvizoi rëndësinë e projektligjit për ratifikimin e Traktatit të Marrakeshit, i cili lehtëson aksesin e veprave të botuara për personat e verbër ose ata me vështirësi të mëdha në shikim.

Ky projektligj është një mundësi konkrete për të zgjeruar aksesin në dije për personat që nuk shohin ose kanë vështirësi në lexim. Po dje, me shumë vullnet, firmosa për t’u bashkuar grupit të deputetëve që mbështesin personat me aftësi të kufizuara. Ky është një angazhim real dhe i qëndrueshëm”, shtoi ajo.

Kuko bëri të qarta sfidat konkrete që përballen qytetarët me aftësi të kufizuara në Shqipëri:

“Institucionet tregojnë se mbi 140 mijë qytetarë janë përfitues të skemave për aftësi të kufizuar. Pothuajse pesë mijë fëmijë janë të përfshirë në sistemin arsimor, por shumë shkolla dhe ambiente publike ende nuk janë tërësisht të aksesueshme. Vetëm 60% e shkollave kanë akses minimal fizik, ndërsa pjesa tjetër është ende e pafavorizuar”, tha ajo.

Deputetja shtoi se pjesëmarrja në tregun e punës mbetet e ulët, duke llogaritur rreth 18-20% të përfituesve, ndërsa familjet mbajnë barrën kryesore të sistemit.

Shifrat bëhen të prekshme kur dëgjojmë historitë nga terreni. Një shembull është historia e një qendre në Korçë për fëmijët me autizëm, ku mungon transporti për fëmijët që jetojnë në fshatra. Terapia ekziston, por mjeti për t’i sjellë ata tek qendra mungon. A duhet vendbanimi i një familjeje të përcaktojë fatin e fëmijës së tyre? Për mua, kjo është e padrejtë”, theksoi Kuko.

Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për shtrirje të shërbimeve në mënyrë uniforme në të gjithë vendin, për të siguruar barazi të aksesit për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.

Latest articles

Related articles