Këshilli i Ministrave ka marrë në mbledhjen kësaj të mërkure një sërë vendimesh.
Në mbledhjen e qeverisë u miratua Plani i Veprimit të Agjendës Digjitale për Arsimin 2025–2030, i cili synon transformimin digjital të sistemit arsimor dhe rritjen e kompetencave teknologjike të nxënësve e mësuesve.
Po ashtu, u akordua një fond prej 25 milionë lekësh për Fondacionin “Kinostudio”, ndërsa lista e pajisjeve sportive të përjashtuara nga detyrimet doganore dhe TVSH u zgjerua me sporte të reja.
Vendimet përfshijnë edhe emërimin e Xheni Beqajt si Drejtor i Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe miratimin e kritereve për Medaljen e Shërbimit Ushtarak në nivelet ari, argjend dhe bronz.
Në të njëjtën mbledhje u miratuan ndryshime në inventarin e pronave shtetërore të Ministrisë së Bujqësisë, si dhe ngritja e Ekipit të Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike (CERT) pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Në fushën e administratës, u vendos lirimi i Orjana Osmanit nga detyra e zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit, duke u emëruar menjëherë zëvendësministre e Arsimit me ndryshim portofoli.
VENDIMET
1- Miratimi i Planit të Veprimit të Agjendës Digjitale për Arsimin 2025–2030
-U miratua plani kombëtar për transformimin digjital të arsimit për periudhën 2025–2030.
- Plani përfshin standardet për arritjen e kompetencës digjitale për nxënësit dhe mësuesit.
-Zbatimi i planit i ngarkohet Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
2- Miratimi i fondit 25 milionë lekë për Fondacionin “Kinostudio”
- U akordua një fond prej 25,000,000 lekësh për mbështetjen e veprimtarisë së fondacionit “Kinostudio”.
- Fondacioni duhet të paraqesë planin e shpenzimeve dhe të raportojë çdo 4 muaj për ecurinë e projekteve.
3- Shtesa në listën e pajisjeve sportive që përjashtohen nga detyrimet doganore dhe TVSH
-U shtua një gamë e gjerë pajisjesh të reja sportive që përfitojnë përjashtim nga detyrimet doganore.
-Përfshihen pajisje për futboll, tenis, sporte dimërore, shah, ping-pong, arte marciale mikse, padel, triathlon dhe hark.
4- Emërimi i Drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit
-Xheni Beqaj emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
5- Përcaktimi i kritereve për Medaljen e Shërbimit Ushtarak
-U miratuan kriteret zyrtare për dhënien e medaljeve të shërbimit ushtarak (ari, argjend, bronz).
-Kriteret lidhen me:
-përkushtimin dhe përgjegjësinë në detyrë;
-mungesën e masave disiplinore;
-vitet e shërbimit (5, 15, 20+ vjet).
-Parashikohet përjashtim në raste të kontributeve të jashtëzakonshme.
6- Ndryshime në inventarin e pronave shtetërore të Ministrisë së Bujqësisë
- Ndryshohen përmasat e dy pronave të kaluara në administrim të Ministrisë së Bujqësisë (numrat rendorë 27 dhe 78), sipas dokumenteve të reja teknike.
7- U miratua vendimi për ngritjen e ekipit të përgjigjes ndaj emergjencave dhe krizës së Sigurisë Kibernetike.
-Pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ngrihet dhe funksionon Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike (në vijim, CERT), i cili është një strukturë ad hoc, rast pas rasti, përgjegjëse për trajtimin në kohë dhe me eficiencë të emergjencave dhe të krizës së sigurisë kibernetike në Republikën e Shqipërisë.
Lirim dhe emërim në detyrë në Ministrinë e Arsimit
-Orjana Osmani lirohet nga detyra e zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit.
- E njëjta emërohet zëvendësministre e Arsimit (ndryshim portofoli).


