nga Sebastian Zonja
Këtë të hënë kryeministri polak Donald Tusk ishte në Berlin ku foli me gjermanët për partneritet në mbrojtje. E djathta polake, e cila ka marrë karakter shumë fashist kohët e fundit, e paraqet këtë takim sikur Gjermania po “pushton” Poloninë, duke sjellë në vëmendje Luftën e Dytë Botërore. Tradhtari është Donald Tusku që merr instruksionet në Berlin si të dorëzojë vendin e tij në duart e gjermanëve, thonë ata.
Kjo lloj e djathte po fuqizohet aktualisht kudo nëpër Evropë. Dikur kishte shenjues anti-amerikanizmin por sot ka kuptuar se anti-amerikanizmi është paksa i rrezikshëm se të vendos ndonjë tarifë ai në krye të Shtëpisë së Bardhë, ndaj janë kthyer kundër njëri – tjetrit dhe kanë bashkuar pipzat me Rusinë për të minuar liberalizmin.
Imagjinoni sikur një çast të vijnë në pushtet radikalët e djathtë gjermanë dhe me këtë krizë ekonomike që ka kapluar Gjermaninë ta gjejnë zgjidhjen duke thënë se retorika fashiste e opozitës polake duhet të marrë fund.
*
Në Ballkan e kemi parë gjithnjë retorikën shoviniste te Beogradi. Ndërkohë, sipas medieve kroate, janë shfaqur linjat e para të fashizmit edhe në Zagreb. Këtë fundjavë u mbajt një marshim në kryeqytetin kroat që kishte në thelb ndërgjegjësimin e qytetarëve kundër retorikës fashiste dhe glorifikimit të ustashëve. Në vend po regjistrohen episode kundër serbëve që banojnë në Kroaci, shkruajnë mediet kroate. Edhe në Bosnje, për shembull, thuajse gjithë kohën e vëmë theksin te linja radikale e Milorad Dodikut, por është me shumë qeder edhe retorika që përdor lideri kroat i konfederatës.
*
Ndërsa kjo e djathtë ka marrë trajtat e një “kryqëzate” të re, siç e përcakton kryeministri hungarez Viktor Orban, Shqipëria dhe Kosova, të cilat kanë popullsi me shumicë myslimane, janë në lupën e këtyre subjekteve. Mjafton të kqyrim mënyrën se si e sheh gjykatësi gjerman në Hagë gjyqin ndaj ish-liderëve të UÇK-së. Fshehja pas mendimeve të cekta se kjo lloj e djathte po ruan kontinentin është përrallë për fëmijë. Kjo retorikë po na çon në një përballje të re. Globalizmi po merr fund jo se doli kjo lloj e djathte, porse SHBA-të mendojnë se Kina është përfituesja kryesore, s’janë më ata. Ndaj, duhen marrë masa se nën petkun e konservatorizmit dhe vlerave identitare po vlon një vullkan që mund të shpërthejë për interesa të të ashtuquajturëve sovranistë.


