PS me dhimbje barku, Rama ka futur në sherr klanet me njeri-tjetrin

spot_img
Advertisements

Mazhoranca ka hyrë në një kaos të përgjithshëm ku frika dhe mungesa e orientimit kanë nxitur shpërthimin e inateve të mbledhura. Debatet e paneleve televizive, ndonëse jo të shpeshta, tregojnë përplasje të forta mes figurave që përfaqësojnë dy klanet kryesore të Partisë Socialiste.

Në një emision televiziv, Oltion Rrumbullaku dhe Arben Meçaj përfaqësuan pozicione të kundërta në lidhje me hetimin ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Rrumbullaku, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe zv.ministër, njihet si i afërt me Erion Veliajn dhe e përdori rastin për ta sulmuar Ballukun. Në të njëjtin debat, Meçaj e kundërshtoi, duke e cilësuar akuzën të shkëputur nga realiteti i dosjes penale.

Kjo përplasje nuk përbën një episod të izoluar, por një fenomen që po shpaloset brenda PS. Reagimet e ashpra gjatë konfliktit virtual mes Erion Braçes dhe Piro Lutajt, si edhe qëndrimi i entuziazmuar i Petro Koçit pas nisjes së hetimit për numrin 2 të qeverisë, tregojnë se tensionet e vjetra po shpërthejnë në mënyrë të hapur.

Rrjetet sociale të militancës socialiste e zbulojnë këtë krizë edhe më qartë. Reagimet e tyre tregojnë pezm, frustrim dhe mungesë besimi te struktura drejtuese. Kjo situatë vjen pas një qëndrimi të gjatë në pushtet dhe pas mungesës së meritokracisë. Ajo gjithashtu vjen si rezultat i një procesi të nxitur nga lart.

Edi Rama ka ndjekur gjithmonë një model kontrolli që synon shkatërrimin e rrymave natyrore brenda partisë. Ai ka dobësuar çdo grupim që ka lindur në mënyrë spontane, si lobi i Saimir Tahirit, i Gramoz Ruçit, i Erion Veliajt ose i Belinda Ballukut. Ai ka zbatuar metodën e përçarjes për të forcuar pushtetin e tij personal.

Të vetmet rryma që nuk kanë pësuar goditje janë lobet kriminale. Ato funksionojnë pa pengesa në mazhorancë dhe ruajnë ndikimin e tyre në grupin parlamentar, të maskuar si brez i ri politik.

Fajtori kryesor i frustrimit të socialistëve është Edi Rama. Edhe pse PS ka 12 vjet në pushtet, ai i ka ndarë pozicionet e qeverisjes tek grupe që nuk kanë lidhje me strukturat e partisë. Ai i ka dhënë fillimisht pushtet Ilir Metës, pastaj njerëzve të larguar prej tij. Më pas i ka dhënë pushtet figurave të larguara nga Lulzim Basha dhe së fundi atyre të larguar nga Sali Berisha. Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka mbajtur të paprekur lobin kriminal që është forcuar vazhdimisht.

Ndërkohë që socialistët zihen për hapësira të vogla dhe rrezikojnë të bëhen kurbanë të SPAK, qarkullimi i vërtetë i parave të mëdha në vend kontrollohet vetëm nga një person. Ky person është Edi Rama. Pa adresuar këtë problem, socialistët rrezikojnë të fundosin përfundimisht partinë e tyre.

Latest articles

Related articles