Presidenti Begaj uron shqiptarët në 113-vjetorin e Pavarësisë: Kemi bërë hapa para; të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë; bashkë drejt integrimit evropian
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale dhe në Diasporë, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në ceremoninë e pritjes për Ditën e Flamurit në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm ishin edhe familjarë te firmëtarëve të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Kreu i Shtetit u fokusua te mesazhet për bashkimin e forcave për integrimin evropian, qëndrueshmërinë dhe orientimin e qartë drejt integrimit evropian.
Presidenti Begaj u bëri thirrje shqiptarëve të bashkëpunojnë për të përmbushur objektivin historik: anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai nënvizoi se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm, duke hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe se mbyllja e tyre deri në vitin 2027 është objektiv strategjik për shtetin.
Në fjalimin e tij, Kreu i Shtetit risolli në vëmendje miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbështetjen e tyre për kombin shqiptar.
Ai theksoi se Shqipëria sot është faktor i besueshëm stabiliteti në rajon dhe aleate e palëkundur e NATO-s.
Presidenti Begaj vuri në dukje rëndësinë e votimit të Diasporës, të realizuar për herë të parë këtë vit, duke e cilësuar si një hap historik që e bën shtetin më gjithëpërfshirës dhe demokracinë më të fortë.
Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve kudo në botë si urë e fuqishme me botën dhe burim ekspertize, investimesh dhe diplomacie kulturore.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u ndal edhe te sfidat kombëtare, duke theksuar se pavarësia matet me standarde, me funksionimin e drejtësisë, cilësinë e shërbimeve publike, besimin e qytetarëve tek institucionet, mundësitë për të rinjtë dhe dinjitetin që shteti garanton për çdo qytetar.
Kreu i Shtetit rikujtoi se “pavarësia është detyrim, është thirrja për të qenë të përgjegjshëm, të bashkuar e vizionarë”, duke kërkuar më shumë dialog dhe kulturë politike që vendos interesin kombëtar mbi atë partiak.
Presidenti i Republikës u kërkoi shqiptarëve të jenë bashkë për të kapërcyer ndasitë që ngadalësojnë rrugëtimin evropian dhe të fokusohen te çështjet e mëdha që çojnë vendin përpara.
Në përmbyllje të fjalës, Kreu i Shtetit risolli amanetin e etërve të Pavarësisë për ruajtjen e identitetit, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e lirisë, ndërsa theksoi se detyra e sotme është ndërtimi i një Shqipërie moderne, të drejtë dhe evropiane.
Presidenti Begaj mbylli fjalimin me urimin tradicional në nder të Ditës së Flamurit, të flamurit kuq e zi dhe të Shqipërisë, duke thënë se “është koha të ngremë një dolli” për kombin dhe të ardhmen e tij.


