91-vjeçari i verbër në Kombinat që endet çdo ditë mes shiut për një strehë që e ka fituar me ligj, por që shteti nuk ia jep.
Një ditë më parë, teksa binte një shi i rrëmbyeshëm që përplasej në asfalt si të donte të shlyente mëkatet e këtij qyteti, pranë Njësisë nr.6 në Kombinat pashë një të moshuar të qëndronte në heshtje te dera. Uji i binte mbi supet e drobitura, por ai nuk lëvizte. M’u desh të afrohesha për të kuptuar se nuk ishte thjesht një plak i lodhur, ishte i verbër. Sytë i dridheshin, ndërsa më tha me një zë të ulët se mezi shikonte dhe se çdo ditë, prej muajsh e muajsh, dilte vetëm me shpresën se dikush do t’i thoshte më në fund “Po, e ke shtëpinë që të takon.”
Quhet Ali Myrtolli, 91 vjeç. I vetëm dhe i verbër. Pas tërmetit të vitit 2019, pallati ku jetonte në Kombinat u shpall i pabanueshëm dhe u shemb. Sipas ligjit, ashtu si të gjithë banorët e tjerë, edhe ai ka përfituar një banesë të re. Të gjithë të tjerët e pallatit i kanë marrë çelësat, kanë hyrë në apartamentet e tyre. Vetëm ai jo. Vetëm Aliu, njeriu më i pambrojtur i asaj liste, vazhdon të endet rrugëve duke kërkuar atë që e ka fituar me të drejtë.
Dhe më e rënda është përgjigjja që merr sa herë pyet është “Je kandidat për varreza, jo për të marrë shtëpi.” Këto fjalë nuk janë vetëm mungesë respekti. Janë çnjerëzore dhe dëshmi e një shpirtzinjësie që nuk kursejnë as një të moshuar të verbër në ditët e fundit të jetës.
Në listën zyrtare ku ai rezulton fitues, emri i tij është aty. Bardhë e zi, qartë dhe pakundërshtueshëm. Por në listën më të fundit të afishuar para pak ditësh, emri i tij nuk ekziston më. Është zhdukur sikur të mos kishte qenë kurrë. Ndërkohë, apartamentet po ndahen, po zihen, po mbyllen, dhe çdo ditë që kalon gjyshi Aliu po mbetet pa shpresë, pa derë, pa dritë.
Ironikisht, pikërisht ai, që për shkak të verbërisë dhe moshës duhet të ishte i pari në listë është lënë i fundit. Apo më saktë, i padukshëm. Sepse dikush ka vendosur që një plak i sëmurë nuk përbën prioritet përpara atyre që “duhet” t’u jepet shtëpia me çdo mënyrë.
Unë nuk po e publikoj fotografinë e gjysh Aliut, sepse ai vetë nuk deshi. Dhe mendoj se është e drejtë ta mbroj dinjitetin e tij. Por po publikoj dokumentet, listën ku ai figuron si fitues dhe listën e fundit ku ai është zhdukur pa asnjë shpjegim, teksa apartamentet po shpërndahen deri në të fundit.
SPAK duhet të shohë edhe këto histori. Sepse korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës nuk është vetëm kur vidhen miliona është edhe kur një zyrtar i merr një njeriu të verbër të drejtën për të pasur një strehë mbi kokë. Është edhe kur një njeri i pambrojtur lihet në shi, në të ftohtë, në errësirë, sepse dikush ka zgjedhur të tregohet i pamëshirshëm.
Dhe gjyshi Aliu sot nuk kërkon as mëshirë, as dhurata. Kërkon vetëm çelësin e shtëpisë që e ka fituar me ligj. Dhe këtë askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë.


