Nga Ekuadori në Romë, duke kaluar nga porti i Roterdamit, qindra kilogramë kokainë që mbërrinin në kryeqytet të fshehura në kontejnerët e anijeve të mëdha tregtare.
Biznesin milionësh e menaxhonte një narkotrafikant shqiptar, i njohur me një pseudonim tashmë familjar për drejtuesit e antimafias: “Loli”.
Ai është figura qendrore e hetimit të kryer nga ‘Guardia di Finanza’, që të enjten çoi në tetë masa sigurie me burg, të kërkuara nga Drejtoria e Antimafias.
210 kg kokainë të shitur dhe mbi 130 të sekuestruara brenda hetimit, i cili çoi gjithashtu në zbulimin e një servisi të fshehtë, ku modifikoheshin bagazhet e makinave të destinuara për transportin e drogës sapo mbërrinte në Europë.
Fitimet, sipas akuzës, do të kishin kaluar një milion euro.
Loli, nga Holanda, koordinonte porositë, mbërritjet dhe shpërndarjen përmes kanaleve të komunikimit të mbrojtura dhe me mesazhe të enkriptuara: një drejtim nga larg, por i pranishëm në çdo hallkë të zinxhirit, nga Amerika e Jugut deri te periferitë e Romës.
Emrin e narkosit shqiptar e kishte dhënë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Fabrizio Capogna, i cili pikërisht falë Lolit kishte hyrë në rrethin e grosistëve që kishin peshë: “Filloi të na japë drogën me çmime shumë më të ulëta 26 mijë euro për kilogram, ndërkohë që më parë e paguanim 31 apo 32 mijë”, kishte treguar gjatë dëshmisë së dhënë në korrik 2024, në procesin për vrasjen e Fabrizio Piscitelli-t, të njohur si Diabolik.
Zbulimet e Capognës ndër vite kanë tronditur botën e kriminalitetit në Romë, duke i lejuar hetuesit të zgjidhin vrasje të pazgjidhura më parë.
Në sallën e gjyqit, Capogna kishte treguar edhe konfliktin me njerëzit pranë Michele Senese-s: Leandro Bennato dhe Peppe Molisso, nga të cilët blinte para se t’i drejtohej shqiptarit Loli.
“Bennato, me sjelljet e tij prej të forti, fillon të më nxisë që të kthehem te ata. Më akuzoi se po ha si shqiptarët. I përgjigjem që është vetëm çështje çmimi: nëse ofrojnë çmimin e Lolit, blej prej tyre. Unë jam njeri i biznesit, jo i diskutimeve”.
Capogna kishte zgjedhur të mos e tradhtonte Lolin. Më vonë kuptoi se ishte tradhtuar vetë, pasi iu vodhën dhjetë kilogramë kokainë: “Më thanë që nuk e kishin me mua, por me atë të poshtrin që ma shiste, domethënë me Lolin. Nga bisedat që pasuan kuptova se të përfshirë ishin edhe Bennato e Molisso, me të cilët kisha bërë një vit burg bashkë, dhe ai më ishte betuar mbi fëmijët e tij se kishte shmangur që të mos më bënin dëm. Pastaj zbulova se Loli kishte filluar punë me ta: ishin ulur bashkë në tavolinë, ndërkohë që unë e merrja nga ai vend”./LaRepublica


