Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se ka regjistruar procedimin penal Nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit të shtetases Adriana Kalaja kundër Belinda Ballukut dhe ish-kreut të Tatimeve, aktualisht deputet të PS, Ceno Klosi. Në njoftimin zyrtar thuhet: “Materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025… është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.” Dokumenti më poshtë:

Në pamje të parë, procedimi duket si një çështje e thjeshtë e lidhur me disa kompani që dyshohet se pastrojnë para dhe që kanë lidhje me Ceno Klosin. Por në fakt, mënyra se si SPAK e formulon përgjigjen është pjesa më domethënëse dhe tregon se hetimi ka hyrë në territorin e pasurisë së Belinda Ballukut.
Kjo lëvizje i zgjeron dyshimet nga “shkelja e barazisë në tendera”, drejt pasojave si gjurmimi i përfitimeve ekonomike, të pasurimit të padrejtë dhe rrjedhimisht të asetëve që duhen verifikuar.Rruga e deritanishme e përballjes së prokurorisë me Ballukun dhuron një trajektore në ngjitje të hetimit: nga një akuzë e thjeshtë për barazinë në tendera, te arrestimet e vartësve, te pezullimi nga detyra, dhe tani një hap më tej, analiza e pasurisë.
Në planin politik, Belinda Balluku ndodhet në pikën më të ulët të karrierës së saj: e pandehur, e pezulluar nga detyra, e kufizuar në lëvizje dhe me bashkëpuntorët kryesorë të arrestuar.
Ajo ka hedhur hapin e fundit procedural që i ka mbetur, ankimimin në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga detyra. Por edhe sikur Kushtetuesja t’i japë një mundësi të vazhdojë detyrën, përballja do të vazhdojë me hetimet e SPAK.
Në thelb, pozicioni i saj ndryshon shumë pak. Dosja tani ka hyrë në fazën më të rëndë të hetimit: gjurmimin e pasurisë, verifikimin e llogarive, të të dhënave tatimore, të kompanive të lidhura, të përfituesve efektivë dhe të çdo rruge që çon drejt parave.
Zgjerimi i hetimeve te të gjithë lotet e Unazës së Madhe tregon po ashtu se dyshimet janë për të goditur jo thjesht Ballukun, por të gjithë strukturën e korrupsionit në ministrinë e infrastrukturës.


