Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e inauguruar me bujë dy muaj më parë nga Belinda Balluku—e pezulluar tashmë nga detyra—prej më shumë se 24 orësh vijon të jetë e bllokuar. Shkak janë bërë masivet shkëmbore që kanë rrëshqitur, duke prishur dhe bllokuar këtë aks rrugor që ka kushtuar 260 milionë euro.
Pas rrëshqitjes së dheut dhe shkëmbinjve, autoritetet kanë nisur punën që në orët e para të mëngjesit të së hënës për pastrimin e rrugës. Pavarësisht se po tentohet të thuhet se aksi në fjalë është i aksesueshëm, rruga vijon të jetë e bllokuar. I vetmi aksesim bëhet nëpërmjet një rruge provizore të hapur, e cila detyron makinat të kthehen dhe të mos kalojnë në zonën ku kanë ndodhur shembjet masive.
Pavarësisht se këto punime zgjatën për 15 vite, “dorën” e fundit e dha kompania 2T. Një nga dy pronarët e firmës është Artan Sako, vëllai i kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako. Më parë, Gramozi ka qenë edhe komandant i Gardës së Republikës.
Sipas dokumenteve, janë paguar mbi 75 milionë dollarë për të ndërtuar segmentin 9.5 kilometra të lotit 3. Pikërisht në këtë pjesë rruge, që rezulton edhe më e kushtueshmja, pas një shiu vjeshte pati shembje masive dheu, si dhe çarje të rrugës. Pavarësisht se janë marrë miliona euro për 9.5 km rrugë, cilësia e punimeve është skandaloze.
Por jo vetëm kaq. Më 19 nëntor 2025, një ditë para se Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Gentian Gjyli, të njihej me masën e sigurisë “arrest shtëpie” për abuzime me detyrën, ai ka bërë edhe “nderin” e fundit. Tenderi i mirëmbajtjes së rrugës së “florinjtë” iu dha 2T-së, pavarësisht se nuk kishte ofertën më të ulët. Fondi limit ishte 31.8 milionë lekë, ose rreth 320 mijë euro.
Firma “Rej” e familjes Kapri ofroi 24 milionë lekë. Firma fituese, ajo e Sakove, ofroi 29 milionë lekë—dukshëm më shumë sesa oferta e Kaprive. Në tender morën pjesë edhe firma të tjera, sërish me oferta më të ulëta sesa ajo e Sakove: Alb-Building ofroi 26 milionë lekë, Deltarex 23 milionë, ndërsa RSM madje 21 milionë lekë. Por Gjyli ia dha kontratën kompanisë 2T.



