Armët për kontrollin e mendjes mund të tingëllojnë si pjesë e filmave fantastiko-shkencorë, por ekspertët paralajmërojnë se ato po afrohen me shpejtësi drejt realitetit. Dy studiues të Universitetit të Bradfordit, Dr. Michael Crowley dhe profesori Malcolm Dando, në librin e tyre të ri theksojnë se avancimet e fundit në neuroshkencë duhet të shërbejnë si alarm për botën.
Sipas profesor Dandos, e njëjta njohuri që përdoret për trajtimin e çrregullimeve neurologjike mund të përdoret edhe për të ndikuar perceptimin, kujtesën apo sjelljen e individëve. Ai paralajmëron se po hyjmë në një epokë të re, ku truri i njeriut mund të shndërrohet në fushëbetejë.
SHBA, Kina, Rusia dhe Britania kanë studiuar armë të tilla që nga vitet ’50. Një prej shembujve më të njohur është substanca amerikane “BZ”, e cila shkakton halucinacione dhe çrregullime të thella mendore, ndërsa Kina ka zhvilluar një “armë narkoze” që qëllon shiringa me kimikate paralizuese.
Rasti i vetëm i përdorimit të një arme që synon sistemin nervor në konflikt mbetet ai i Moskës në vitin 2002, kur forcat ruse përdorën një derivat të fentanilit për të çaktivizuar militantët çeçenë, duke shkaktuar vdekjen e 120 pengjeve.
Shkencëtarët paralajmërojnë se rreziqet po rriten, pasi kërkimet moderne mbi “qarqet e mbijetesës”, zonat e trurit që kontrollojnë frikën, gjumin dhe vendimmarrjen, mund të keqpërdoren për krijimin e armëve që manipulojnë funksionet mendore.


