1 milion euro për ekzekutimin e prokurorit të Brukselit, arrestohen 8 persona, pjesë e klanit shqiptar

spot_img
Advertisements

8 persona janë arrestuar nga autoritetet belge pas një hetimi për shkak të kërcënimeve serioze që kishte ndaj prokurorit të Brukselit, Julien Moinil. Në korrik, niveli i kërcënimit ndaj prokurorit u ngrit në nivelin më të lartë. Sipas autoriteteve belge “të dyshuarit besohet se janë aktivë në rrjetin kriminal shqiptar.”

Herët në mëngjesin e së martës, u kryen 18 kontrolle shtëpish në Bruksel dhe Leuven. Të arrestuarit po merren në pyetje dhe gjykata do të vendosë më vonë nëse do të ndalohen apo jo.

Në korrik, policia mori informacion në lidhje me një komplot për të goditur Moinil. Informacioni dukej serioz ndaj u morën masa konkrete për ta mbrojtur atë.

Edhe më herët qarkullonin thashetheme se kërcënimet kishin origjinën nga qarqet e trafikimit të drogës. Lufta ndaj këtij fenomeni është një nga prioritetet e Moinil dhe ai e ka rritur ndjeshëm presionin në muajt e fundit.

Vetë Moinil nuk ka bërë komente për momentin. Kjo nuk është hera e parë në karrierën e tij që ai është kërcënuar dhe vënë nën mbrojtje. Përpara punës së tij si prokuror në Bruksel, ai punonte për zyrën e prokurorit federal në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe atëherë u vu nën mbrojtje të paktën 2 herë.

I pari ishte një rast mashtrimi në shkallë të gjerë me makina. Banda që fshihej pas mashtrimit dyshohet se donte hakmarrje dhe punësoi një vrasës me pagesë.

Një vit më vonë, e njëjta gjë ndodhi në lidhje me “rastin e madh Encro”. Ishte këmbëngulja e Moinil që çoi në zbërthimin e aplikacionit të koduar EncroChat ku flisnin trafikantët e drogës. Ai arriti që të çonte para drejtësisë një rrjet me mbi 100 persona që trafikonin drogë nga Amerika Latine në Europë. Mes të arrestuarve kishte edhe shumë shqiptarë.

Sipas gazetës belge “Le Soir”, në atë kohë kishte plane brenda qarqeve shqiptare për ta vrarë prokurorin dhe thuhet se u nënshkrua një kontratë prej 1 milion eurosh. Në muajin shkurt ai u pyet për këtë çështje nga gazetarët, por tha se “bën punën e tij për të mbrojtur njerëzit” dhe se i “pranon pasojat”.

Latest articles

Related articles