Nëse do që të kesh sukses të popullarizuar në zejen tonë të moçme të shkrimit, mos ia hyr kurrë, nëse nuk plotëson disa kushte të paravendosura vendimtare:
a) T’i përkasësh nga mbiemri një familjeje të ish nomenklaturës së lartë komuniste në Parti dhe Letërsi (çka është në thelb, e njëjta gjë);
b) Ti përkasësh si trashëgimi politike e kulturore të njëjtës kastë/establishment të Partisë-Kurvë;
c) Të kesh shërbyer me zell Cerberi në Frontin e Kuq të Medias dhe politikës (prapë, e njëjta gjë) dhe të kesh bërë emër famëkeq si drejtues, si médiator, si shaw-girll apo shaw-man;
d) të jesh përlyer me katran korrupsioni më keq se djajtë e skëterrës;
e) Temat e tua të prekin veçse koniuktura historike, fetare, politike dhe, mender me thanë, të ashtuquajturën distopi futurologjike, shkurt e trup, një lloj molloisje fallxhorkash të lagjes. Suksesin e ke të garantuar: tam-tamet s’do kenë të sosur në shtyp dhe Hidrën Cybernetike.
f) Kryesorja, me infrastrukturën e gatshme, servile, të përulët, mos harro ta paraqesësh plehun tënd letrar çdo vit, për t’u paketuar sa më shpejt, hijshëm e lyrshëm, para se fshati në festë të vërshojë në turma për autografe. (Mos u shqetëso, nuk do t’a lexojnë: thjesht u duhet pleh me autograf, për t’ia përcjellë brezave).
Por nëse nuk e do këtë farë popullariteti e këtë farë Lavdie, shkruaj me gjakun dhe lëkurën tënde, pavarësisht se ke pak ndjekës besnikë, pavarësisht se vepra jote mund të mungojë në festë, pavarësisht se shtypin, studiot dhe Hidrën Cybernetike nuk do t’a kesh me vete kurrë. Vetëm shkruaj larg “Panairit të Kotësisë”, shtroje shkrimin tënd, ku të frymojnë e ardhmja dhe Destini.
Dhe nëse të vlen si ngushëllim, kujto shprehjen e J.L. Borges-it: “Nëse një libër artistik tejkalon sakaq tirazhin e shitjes mbi 5000 kopje, ai, më falni, nuk është më libër, por prostitutë…”


