Zarfi i zi në derën e PD-së që na rikujtoi Big Brother-in

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Ka ditë në politikën shqiptare ku realiteti duket sikur humbet busullën dhe përplaset me spektaklin televiziv. Sot ishte pikërisht një nga ato ditë. Një ditë kur politika u shndërrua në show, ndërsa show u soll si parodi politike. Në mes të këtij rrethi vicioz, një zarf i zi, ai objekt anonim që në Big Brother përcakton fatin e banorëve, vendosi të ngjitet edhe në derën e Partisë Demokratike.

Ironia e madhe është se në lajme dhe reels qarkullonte intervista e Ben Blushit që fliste për Big Brother-in si “krijimin e tij” televiziv dhe këtë po e debatonte në Mirëmbrëma Yje me Osmanin. Pikërisht ditën që politika shqiptare do sillte versionin e vet grotesk të “zarfit”. Një sinkron i çuditshëm: ndërsa Blushi fliste për krijimin e reality-show-t, PD po bënte ping-pong institucional për mosmarrjen e zarfit të thirrjes në SPAK, një histori ku askush nuk donte të ishte “banori” i nominuar për të vajtur brenda.

Kjo mungesë e guximit për të marrë një letër zyrtare, jo një kamera të fshehtë, i dha ditës një shije të fortë reality-show. Berisha nuk doli, PD nuk pranoi të merrte zarfin, ndërsa të gjithë rrotull nisën të jepnin justifikime nga më absurdët: s’na takon neve, nuk na e sollën si duhet, s’është formalisht dera jonë… Thua se s’bëhej fjalë për thirrjen e një ish-kryeministri për një nga çështjet më të errëta të tranzicionit, 21 janarin, por për një nominim të dështuar tek dhoma e gjumit e Big Brother Albania.

Pastaj vjen pika kulmore e ironisë: Top Channel njoftoi se Big Brother i ri nis në dhjetor. Ndërkohë, politika shqiptare po prodhonte episodin pilot të një show-i paralel, një reality me protagonistë realë.

Në këtë vend, Big Brother nuk është thjesht një format televiziv: është metafora jonë kolektive. Aty shohim ambicien, intrigën, lojën, manipulimin dhe teatrin. Sot, politika bëri gjithçka për ta imituar: me zarf, me imazhin e “banorit të revoltës”, me justifikimet e kota. Veçse ndryshimi qëndron diku tjetër: në Big Brother, publiku voton dhe vendos. Në politikën tonë, publiku veç sheh, përtypet dhe ngre supet.

Zarfi i zi në derën e PD-së na kujtoi brutalitetin e këtij absurdi: në Shqipëri, kur vjen koha për llogari, të gjithë bëhen banorë të Big Brother-it; kur vjen koha për transparencë, të gjithë kthehen në skenaristë.

Ndoshta, krejt pa dashje, politika jonë dha mesazhin e ditës: Big Brother nis në dhjetor, por politika shqiptare s’ka reshtur asnjëherë së qeni brenda shtëpisë, në lojën që zhvillohet mbi shpinën e qytetarëve.

Latest articles

Related articles