Yannis Kirkinezis, ka treguar se është me profesion inxhinier dhe në Shqipëri administron degën e kompanisë hollandeze “Hill Internacinal N.V” me Seli në Amsterdam. Si përfaqësues ligjor i kësaj kompanie vepron dhe shtetasi tjetër, Emmanouil Sigalas.
Sipas tij, kompania është hapur në 4 qershor 2019 në Tiranë, ndërsa marrëdhënien e punës, fillimisht e kanë nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku kanë marrë kontratën e parë në administratën publike.
Një muaj më pas kompania e administruar prej tij, arrin të fitojë tenderin 2 milionë euro të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku në këtë garë inxhinieri grek kishte bashkuar forcat me kompaninë “Net-Group”, e Valter Begaj.
Yannis Kirkinezis, ka pohuar në SPAK se tenderi për supervizimin është hapur në datën 25 nëntor 2021 nga Sekretaria e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi.
“Net Group” dhe “Hill Internacinal N.V” kanë garuar përballë dy kompanive të tjera që kishin hyrë si Bashkim Operatorësh Ekonomikë “Stucky” l.t.d dhe “Gjeokonsult & CO”.
Fondi limit i këtij tenderi ishte planifikuar në 1 miliard e 947 milion lekë të vjetra, ku shërbimi duhej të kryhej në 34 muaj.
Sipas dokumentave zyrtare të sekuestruara tashmë nga SPAK, kompania “Hill Internacinal N.V” e inxhinierit grek dhe “Net Group” e Valter Begaj, në total ka përfituar në 14 transaksione të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, 1 miliard e 979 milion lekë.
Pra edhe 32 milion lekë të vjetra mbi atë që ishte parashikuar në kontratën mes palëve.
Shuma prej 1 miliard e 979 milion lekë është paguar në bazë të kontratës Nr.1537/3 të lidhur në 16 Maj 2022 ku parashikoheshin shërbime inxhinierike për 13 situacione të mbikqyrjes së punimeve në tunelin e Llogarasë.


