Nga Ermal Peçi
Në një vend ku 60% e popullsisë nuk arrin dot të mbulojë shpenzimet e muajit, lajmi i ditës është “ligji për barazinë gjinore”. Në një Shqipëri ku çdo javë një tender 20-milionësh euro zhduket si avull, ne po debatojmë për kuotat e grave në borde, për fjalinë “ai/ajo” në dokumente dhe për “ndryshimin kulturor” që do të sjellë një nen ligji. Ato që prodhon “Rilindja Kineze” as në Netflix nuk do t’i gjeje, një skenar kaq absurd.
Nëse do të kishte ndonjë arsye për t’u protestuar sot në Tiranë, nuk do të ishte për “të drejtën e trupit”, por për vjedhjen e shtetit. Për faktin që numri dy i qeverisë është në dosjet e SPAK-ut. Për faktin që paratë publike që duhet të ishin në spitale, në rrugë, në shkolla, janë shndërruar në vila, makina luksi, dashnore dhe pushime në Dubai. Por jo. Shqiptarët kanë mësuar të protestojnë për çdo gjë tjetër, veçse për atë që ua vjedh jetën.
Barazia gjinore është temë serioze, por kur përdoret si perde tymi për të mbuluar korrupsionin, ajo bëhet tallje. Është si të flasësh për “të drejtat e grave” në një vend ku gratë paguhen 40% më pak, ku pushteti i grave është fasadë për pushtetin e burrave që firmosin pas tyre, dhe ku “ministrja” është thjesht zgjatim i urdhrave nga lart. Kjo nuk është barazi, është dekor politik. Një “bythë mediatike” për të zhvendosur vëmendjen nga dosjet e SPAK-ut që rrotullohen rreth Ramës dhe Berishës.
E vërteta është se këtu s’jemi as afër një shoqërie që kupton realisht çfarë është barazia gjinore. Shqipëria mbetet një shoqëri thellësisht patriarkale, ku burrat flasin për “emancipimin e grave”, ndërsa gratë u shërbejnë kafenë. Ku në fshat gruaja nuk ka tokë, në qytet nuk ka zë dhe në politikë nuk ka pushtet real. Në një shoqëri të tillë, axhenda të importuara si “identitetet gjinore” apo “neutraliteti gjuhësor” nuk pijnë ujë, sepse nuk janë të lidhura me realitetin tonë.
Prandaj kjo zhurmë për “barazinë gjinore” është më shumë një instrument për të shmangur thelbin: korrupsionin, padrejtësinë, pabarazinë ekonomike. Nëse do të kishte ndonjë protestë që do ta ndiente ky popull, do të ishte për taksat që i zhduken çdo vit.
Në fund, Shqipëria nuk ka mungesë ligjesh për barazi, por mungesë morali për drejtësi. Sa kohë që njerëzit do të dalin në shesh për “merakun e bythës”, por do të heshtin për miliardat që na vjedhin, barazia e vetme që do të kemi është ajo e varfërisë.


