BIRN analizë dosjes Balluku – Berberi në SPAK, Afera e tunelit të Llogarasë

spot_img
Advertisements

Më 28 maj 2021, tre ditë përpara se të merrte një nga postet më të rëndësishme në infrastrukturën e vendit, Evis Berberi merr një mesazh të gjatë nga ministrja Belinda Balluku.

Mesazhi, i zbardhur në dosjen hetimore të SPAK, nuk është thjesht një urim për emërimin, por një ftesë për një pakt besnikërie, në themel të të cilit qëndron, sipas prokurorisë, paracaktimi i fituesit të tenderit me vlerë rreth 18 miliardë lekë për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Në mesazh, Balluku e nënvizon më shumë se një herë rëndësinë e çështjes për të dhe njerëzit rreth saj.

“Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë po të jap diçka nga e cila varet e ardhmja ime, e jotja dhe e shumë të tjerëve që ndodhen përqark nesh,” i shkroi Balluku, duke nënkuptuar se dështimi ishte i papranueshëm.

“Do ishte një goditje e madhe për mua,” shtohet më tej ajo në mesazhin ku vartësit i kërkohet të mos ketë takime, të mos japë premtime dhe që çdo vendim ta marrë në konsultim me të.

Evis Berberi u emërua zyrtarisht drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar më 31 maj 2021- kohë kur një tender i parë për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ishte anuluar me urdhër të Ballukut dhe miratimin e tij si anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO.

Bisedat e shkëmbyera mes tij dhe Ballukut në aplikacionin Signal, të kapura nga Prokuroria e Posaçme në telefonin e Berberit, tregojnë përfshirjen direkte të Ballukut në të gjithë procedurën e paracaktuar që nxorri fitues bashkimin e kompanive turke “İntekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti” dhe “Asl Insaat Taahhut Ve San. Tic. Ltd. Sti”.

SPAK njoftoi më 3 nëntor se kishte marrë të pandehur zv.kryeministren Belinda Balluku për akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, një vepër për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 3 vjet burg.

Përveç Ballukut, të pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë janë edhe Evis Berberi, Erald Elezi, në atë kohë drejtor i Planifikimit në ARRSH; Gentian Gjyli, drejtori aktual i ARRSH si dhe Jetmira Dervishi e Mirzeta Kashnica, specialiste në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe anëtare të KVO-së.

“Shtetasja Belinda Balluku në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave… kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë ofertues “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti And Asl Insaat Taahhut Ve San.San. Tic. Ltd. Sti. JV’”, thuhet në dokumentin e SPAK për njoftimin e akuzës.

E pyetur mbi bisedat mes saj dhe Berberit dhe implikimin e saj në manipulimin e tenderit, as Balluku dhe as mbrojtja e saj nuk reaguan. Kryeministri po ashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse do të mbante qëndrim në këtë rast.

“Skualifikoji të gjithë”

Tuneli i Llogarasë, që lidh Vlorën me fshatrat turistikë të Jugut, është një prej projekteve më të mëdha dhe të kushtueshme të infrastrukturës në pesë vitet e fundit. Ai është po ashtu një prej projekteve më kontroverse për shkak të funksionit të kufizuar.

Planet për tunelin janë të vjetra, por ato u vunë në jetë në fund të vitit 2020 kur u shpall tenderi i parë për këtë projekt. Hetimet e prokurorisë dhe mesazhet mes anëtarëve të KVO-së, drejtuesve në MIE dhe vetë Ballukut, tregojnë se përpjekjet për të parazgjedhur fituesin filluan që në tenderin e parë.

Në dosje përmenden bisedat mes anëtarëve të KVO-së, me qëllim ndryshimin e kritereve të tenderit në kundërshtim me parashikimet ligjore. Në njërin prej mesazheve, Berberi i shkruan Ballukut për ndryshimin e kriterit të eksperiencës në punë të ngjashme me kërkesë të një personi që identifikohet si “Pëllumbi”.

“Sipas VKM, eksperienca duhet kërkuar tre vitet e fundit. Ndërkohë që ai s’e kishte dhe e lamë 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta më tha që e kishte diskutuar përpara takimit me Pëllumbin këtë gjë me ty,” thuhet në mesazhin dërguar Ballukut.

Në janar të vitit 2021, Balluku nuk duket e kënaqur me atë që po ndodhte me tenderin dhe në mars, për arsye që nuk sqarohen në dokumentin hetimor, ministrja merr vendim që ta anulojë tenderin plotësisht.

Bisedat e Ballukut me Berberin tregojnë se vendimi u mor mes 5 dhe 18 marsit, pasi Berberi e informoi ministren se Ergys Verdho (drejtor i ARRSH-së në atë moment, i përmendur si “Gysi”) po kërkonte një mbledhje të KVO-së për tunelin dhe kërkon të dijë nga ajo se cili ishte “deadline dhe target”-i i vërtetë, përpara se të takohej me të.

Balluku nuk përgjigjet në mesazhe, por organizon një takim me Berberin dhe të tjerë. “Mblidhuni” urdhëron ajo. Është e paqartë se çfarë edhe diskutuar në takim, por nga komunikimet e datës 17 mars mes Berberit dhe Ballukut del qartë se ishte dhënë udhëzim për ta anuluar procedurën.

Rreth mesditës, Belinda Balluku i kërkon llogari Evis Berberit: “Po tuneli? E mbyllët?”. Berberi shpreh shqetësim: “Joo, eshtë rëndë. Flasim live mos shkruajmë.” Biseda e cituar nga Prokuroria vijon po atë ditë me shkëmbime në lidhje me kompaninë “Gjoka”.

Po atë ditë, në orën 17:40, Balluku urdhëron: “Mendoj ta anullojmë. Skualifikoji të gjithë”. Berberi, që ishte anëtar i KVO, pajtohet plotësisht: “Jam me se dakord… Kur e do, sot apo nesër?”, madje duke theksuar se “ja këndoj këngën s’ma ndjen shumë për asnjë dhe e çoj ku duhet.” Veç vendimit për të mbyllur procedurën, Balluku këmbëngul që të pengohej ankimimi dhe të digjeshin afatet që kompanitë të shkonin në gjykatë. Ministrja këmbëngul se vendimi bazohej në ndjesi. “Jo, jo, kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, citohet ajo, dhe Berberi e përkrah: “E ke të frikshme ndjesinë. Kur e do”.

What Is New Senior Apartments and How to Choose the Right OneSenior Living Guide

Travel To These 15 Bucket List Worthy BeachesKingdom Of Men

Një ditë më vonë, 18 mars, Balluku kërkon mbyllje me urgjencë. Prokuroria gjeti se po atë ditë, në orën 17:08 minuta, KVO skualifikoi të gjitha ofertat siç ishte kërkuar nga ministrja. Një minutë më vonë, në orën 17:09, Balluku mori mesazh nga Berberi: “E mbyllëm”.

Negociatat dhe paracaktimi

Në qershor 2021, pak muaj pas anulimit të tenderit të parë dhe pasi Berberi ishte emëruar në krye të ARRSH-së, fillon procedura e dytë e tenderimit. Këtu, prokuroria pretendon se roli i Ballukut kalon në koordinatore aktive për paracaktimin e fituesit.

“Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake rezulton se shtetasja Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ndonëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetasja Viola Haxhademi, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues,” thuhet në dosjen e prokurorisë.

Prova të përfshirjes dhe paracaktimit, sipas SPAK, gjenden në një komunikim të datës 19 gusht 2021, përpara afatit të dorëzimit të ofertave. Balluku në këtë kohë duket se ishte në kontakt me kompaninë turke dhe i përcjell Berberit një mesazh të gjatë në anglisht nga kjo kompani. Mesazhi ishte një përditësim i brendshëm i statusit të projektit prej kompanisë, ku thuhej se oferta e tyre ishte “përfunduar në nivelin 95%”.

Kompania po ashtu vë në dijeni se ortaku i tyre në këtë tender ishte e njohur nga “Presidenti”. “Kjo është një shoqëri që ka ndërtuar një tunel autostrade 2×14 km në Turqi, dhe është gjithashtu një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë”, thuhet në mesazh.

Në të njëjtin mesazh, përfaqësuesi i kompanisë turke bën me dije se ata po negocionin ndërkohë me përfaqësues të MIE.

“Si përfaqësuesit tanë në Shqipëri, ashtu edhe avokatët tanë në Shqipëri, po vazhdojnë punën dhe negociatat me znj. Arta në lidhje me tenderin,” thuhet ndër të tjera në mesazh. Arta e përmendur në mesazh duket se është Arta Gurabardhi, që në dosje referohet si këshilltare në Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), por e përfshirë gjerësisht në tenderin e tunelit të Llogarasë në përkthime dhe përgatitjen e materialeve.

Përcjellja e këtij komunikimi të brendshëm nga ministrja te kreu i KVO-së, ku flitet hapur për “negociata” me stafin e saj për një tender ende të hapur, konsiderohet nga prokuroria si provë e paracaktimit të fituesit. Dosja tregon se koordinimi vazhdon. Më 24 gusht 2021, Balluku i shkruan Berberit: “Fole me Artën. Turqit gjëkundi. Nesër në 11 takim”, duke konfirmuar menaxhimin e takimeve mes palëve.

Balluku informohet vazhdimisht për lëvizjet e përfaqësuesve të kompanisë turke dhe po ashtu përfshihet drejtpërdrejt në skualifikimin e kompanive të tjera, duke këmbëngulur se nuk plotësonin kriteret.

Por SPAK ka gjetur se bashkimi i kompanive turke që fitoi tenderin nuk plotësonte gjithashtu kriteret. SPAK thotë se atyre u mungonin një sërë dokumentash që duhej të sillnin skualifikimin nga gara, por të gjitha këto janë anashkaluar.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se operatori ekonomik i shpallur fitues në këtë procedurë prokurimi, Bashkimi i Operatorëve ekonomikë “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti & Asl Insaat Taahhut Ve San. Tic. Ltd. Sti.”, nuk ka plotësuar disa nga kriteret e vendosura në dokumentacionin standard të tenderit”, thuhet në dosje ku përmenden dokumentet e certifikata të munguara.

Një pjesë e proceseve dhe diskutimeve janë kryer privatisht. Madje segmente të dosjes tregojnë se nga “zelli”, Berberi u paraqit në vendin e takimit me Ballukun në mëngjesin e datës 29 gusht, por Balluku i bën me dije se takimin e kishte kërkuar në darkë.

Më tej, ajo kontrollon afatet e njoftimit të fituesit dhe madje edhe bërjen publike të saj. Në biseda rezulton se ministrja po ashtu përballej me “kërcënime” për shkak të kësaj procedure, por në dokumente nuk përmendet se kush ishte kërcënuesi.

Në dosje, SPAK argumenton se Belinda Balluku ka anashkaluar delegimin formal të kompetencave dhe ka vepruar si titullar real i autoritetit kontraktor. Prokuroria konkludon se anëtarët e KVO-së, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe nën udhëzimet e ministres, kanë shkelur ligjin./BIRN/

Latest articles

Related articles