Ka një pyetje që sot qarkullon në çdo kafene politike, në ekrane dhe rrjete sociale:
Pse Sali Berisha nuk po ngre popullin kundër Edi Ramës?
Teorikisht, ky duhej të ishte momenti i tij. Kryeministri nën goditje publike, numri dy i qeverisë i akuzuar nga SPAK, një tufë me funksionar pas hekurave, disa të tjerë po presin rradhën, pushtet i konsumuar moralisht, shoqëri e lodhur nga abuzimet. Në çdo vend tjetër demokracie, bulevardi do të ishte bllokuar. Por jo këtu, këtu opozita fle, dhe Berisha hesht.
Dikur protesta ishte arma e tij më e fortë ndërsa sot mjafton selia e PD-së si një alibie e tij. Ai e ka tundur aq shumë flamurin e revolucionit, sa sot s’ka më muskuj për ta ngritur. Betejën kundër korrupsionit sot e komandon SPAK dhe kur flet drejtësia, retorika politike nuk pi më ujë.
Berisha e di këtë gjë mjaft mirë siç di që ai nuk është më në luftë për pushtet. Ai është në luftë për vete. Një opozitë që udhëhiqet nga një lider i cili ka hall për mbrojtjen personale nuk mundet dot të ngrej dot popullin në sulm moral.
Edi Rama e di. Prandaj qetësia e tij është e frikshme. Jo se është i pathyeshëm, por sepse kundërshtari është i paralizuar. Një opozitë që nuk proteston kur numri dy i qeverisë del nën akuzë, nuk është opozitë është institucion në kolaps moral.
Kështu Shqipëria sot duket peng e një simbioze të heshtur mes Ramës dhe Berishës. Një bashkëjetesë politike e pashpallur, ku secili i duhet tjetrit për të qenë gjallë.
Rama ka nevojë për Berishën si kundërshtar të konsumuar, armik komod, që nuk fiton dot, por mban sistemin të mbyllur hermetikisht.
Berisha ka nevojë për Ramën si alibi historike, për të thënë se lufta vazhdon edhe kur nuk ka më ushtri, as terren, as moral.
Ky është teatri i tranzicionit të pafund: një pushtet që nuk rrëzohet dhe një opozitë që nuk ngrihet. Mes një qeverie që nuk bie dhe një opozite që nuk ngrihet, vendi ngec në rrethin vicioz të së vjetrës që nuk ikën dhe së resë që nuk vjen.


