Rastet e gjuhës së dhunës dhe të urrejtjes janë shtuar ndjeshëm në vend. Vetëm pak ditë më parë, tre vrasje u shënuan për shkak të një “fjale goje”.
Për të diskutuar mbi këtë fenomen shqetësues, në emisionin “MCN Informacion” ishin të ftuar komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, dhe Borjana Dine, psikologe dhe menaxhere e platformës isigurt.al., të cilat shpalosen raporte gjegjëse mbi rritjen e rasteve të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri.
Sipas Gajdës, raportet e fundit tregojnë se problemi në thelb është kulturor.
Gjuha e urrejtjes është një formë diskriminimi që institucioni ynë e trajton gjerësisht.
Ajo çka vërejmë është se shoqëria jonë ka një problem thelbësor me mënyrën e komunikimit.
Komunikojmë pak dhe shpesh në mënyrë agresive. Kjo reflektohet kudo, në media, në Kuvend, në shkolla, në familje dhe në jetën e përditshme.
Ne duhet të rikonceptojmë mënyrën tonë të të komunikuarit, t’i japim më shumë rëndësi fjalës, tolerancës dhe dëgjimit të tjetrit.
Nga ana tjetër, psikologia Borjana Dine solli të dhëna nga raporti më i fundit i platformës isigurt.al, e cila monitoron rastet e gjuhës së urrejtjes online në Shqipëri, të cilat përveç rritjes së numrit të raportimeve, identifikon shumëfishim të sulmeve online.
Sipas raportit dyvjeçar, numri i rasteve të raportuara është rritur ndjeshëm. Nga viti 2016 deri në vitin 2024, kemi regjistruar 1327 raportime, ndërsa në vitin 2024 vetëm kemi 407 raste, që përbëjnë një rritje me rreth 63% krahasuar me vitin paraprak.
Po ashtu, është vënë re një shumëfishim i sulmeve online, të cilat janë bërë më impulsive dhe më të dhunshme verbalish.
Mbi 60% e raportimeve vijnë nga vajza dhe gra të reja, të cilat denoncojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj tyre, përfshirë raste të shpërndarjes së fotove pa leje, hapjes së profileve false dhe ofendimeve me përmbajtje të rëndë denigruese.
Kemi të bëjmë me një tendencë të frikshme ku mungesa e empatisë dhe kontrollit social po tejkalon çdo kufi të normalitetit.


