Belgjika po përballet me rrezikun real të shndërrimit në një “narko-shtet”, ku krimi i organizuar po depërton në çdo shtresë të shoqërisë dhe të institucioneve publike.
Paralajmërimi vjen nga një gjyqtar i lartë hetues i qytetit portual të Antwerp-it, i cili ka publikuar një letër anonime në faqen zyrtare të sistemit gjyqësor belg, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria federale, raporton Politico.
“Ajo që po ndodh sot në distriktin tonë dhe përtej tij nuk është më një çështje klasike kriminaliteti. Ne po përballemi me një kërcënim të organizuar që minon institucionet tona”, shkruan gjyqtari, sipas Politico-s.
Në letrën e tij, ai përshkruan një realitet ku strukturat mafioze janë bërë “një pushtet paralel” që sfidon policinë dhe drejtësinë.
“Struktura të gjera, të ngjashme me mafien, kanë zënë rrënjë, duke u bërë një pushtet paralel që sfidon jo vetëm policinë, por edhe sistemin gjyqësor”, shton ai.
Sipas gjyqtarit, trafiku i drogës, që kalon kryesisht përmes Portit të Antwerp-it, po ushqen një ekonomi të paligjshme që ndikon në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, në korrupsionin e administratës dhe në rritjen e dhunës urbane.
Vetëm në Bruksel, janë regjistruar mbi 60 incidente me armë zjarri të lidhura me drogën këtë vit – 20 prej tyre vetëm gjatë verës, sipas të dhënave të cituara nga “Politico”.
Në përgjigje të situatës, ministri belg i Brendshëm, Bernard Quintin, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e vendosjes së ushtarëve në rrugët e Brukselit, ndërsa qeveria ka miratuar bashkimin e gjashtë zonave policore të kryeqytetit në një strukturë të vetme, që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027.
Gjyqtari paralajmëron në anonimitet se elementet kryesore të një narko-shteti tashmë janë të pranishme në Belgjikë: ekonomi ilegale, korrupsion dhe dhunë.
“Kjo ryshfetdhënie depërton në institucionet tona. Rastet që kam hetuar – dhe unë jam vetëm një nga 17 gjyqtarët hetues në Antwerp – kanë çuar në arrestimin e punonjësve të pozicioneve kyçe në port, doganierëve, oficerëve të policisë, nëpunësve bashkiakë, madje edhe punonjësve të sistemit të drejtësisë, brenda burgjeve dhe në këtë ndërtesë”, shkruan ai.
Ai përshkruan gjithashtu një panoramë tronditëse të krimit të organizuar digjital, ku urdhrat për sulme me bomba, rrëmbime apo grabitje mund të porositen përmes Snapchat-it.
“Një sulm ndaj banesës me eksploziv apo me armë lufte, një grabitje apo rrëmbim, mund të porositet lehtësisht online. Nuk ka nevojë as për ‘dark web’; mjafton një llogari në Snapchat”, thekson gjyqtari.
Letra, e publikuar përmes kanaleve zyrtare, mbyllet me një thirrje dramatike për veprim: “Kjo nuk është më një çështje e rendit publik – është një kërcënim ndaj vetë shtetit ligjor”, përfundon gjyqtari, sipas raportimit të Politico-s.


