Romani “Shtatë dritaret” tek nxënës dhe mësues të gjimnazit “Andon Zako Çajupi”

spot_img
Advertisements

Nga Virion Graçi

Dje pata një bisedë letrare me nxënës dhe mësues të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” këtu në Tiranë, me shkak librin tim, i botuar një vit më parë. Kuvendimit i prinë me përshtypjet, pyetjet dhe ndërhyrjet e tyre interesante, thelbësore për specialitetin e letërsisë, Anxhela Pashaj dhe Pina Marku Vata, krahas kureshtive emocionuese të nxënësve.

Sa mund të riprodhoj nga kujtesa, po hedh disa nga fjalët e mia:
Është e saktë që kreu i parë i romanit (“Shtatë dritaret”) flet për fëmijërinë time dhe se ajo periudhë kohore i përket viteve të regjimit komunist në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se jeta ime dhe e çdo bashkëmoshatari me mua, është vetiu e ditur, e rrëfyer sepse qenka e trajtuar ajo periudhë. Aspak, njeriu është autentik në jetën e tij dhe përjetimet e tij; është edhe më shumë autentik në interpretimin e fakteve të tij jetësore, të themi 30 vjet më vonë; distanca kohore i jep pjekurinë të shohë gjërat, dikur patetike, sentimentale a dramatike, me buzëqeshje, paksa me autoironi, pa mitizime a demonizime.

Po kështu, një roman nuk e bën bashkëkohor tema ditore; ngjarjet zhvillohen para një jave, në një apartament të modelit të fundit, personazhet kanë vetura të vitit 2025. Jo, edhe temat ditore mund të shkruhen në mënyrë anakronike dhe rëndom ndodh ashtu; letërsinë e bën moderne formimi artistik, gjuha rrëfimtare, kompozimi/konceptimi dhe rrezatimi emocional/ideor. Ende shkruhen romane të shkëlqyer për, fjala vjen, Egjiptin e Lashtë, periudhën romake apo mesjetën, për të mos ardhur më afër në kohë, por askush nuk i paragjykon si të konsumuara.

I vetmi model moral që kam pasur gjithmonë në mendje, kur kam bërë bilance të jetës sime, sikurse edhe kur e bëra këtë rrëfim të gjatë autobiografik, ka qenë Voltaire, filozofi, humanisti dhe stigmatizuesi i frikshëm i veseve njerëzore e butaforive sociale. Nga lartësia e moshës, lavdisë intelektuale dhe suksesit letrar si dramaturg, poet, iluminist, ai u mjaftua me një frazë për jetën e tij: “Fillimi qesharak, mesi nuk ka qenë kushedi se çfarë, kurse fundi – i trishtuar.

Nga ana teknike/konceptuale, jo sot, por që në fillimet e mia si romancier, këtu e 30 vjet më parë, kur ende nuk kisha shkruar një tregim të vetëm, më ka inkurajuar romani francez i viteve ’60-’80, i quajtur romani i ri apo antiromani. Në çfarë drejtimi? Në lirinë shkrimore-rrëfimtare: një kapitull mund të jetë edhe një paragraf i vetëm me 4-5 rreshta, vetë rrëfimi mund të ndryshojë nga një paragraf në tjetrin ose nga një kapitull në tjetrin, si dhe procedime të tjera që mundësojnë përzgjedhjen, përfaqësimin konciz në tekst të provave jetësore domethënëse, kuptimplote, zhvendosjen e beftë në kohë a në hapësirë/vendngjarje, e jo të nënshtrohesh vijimësisë natyrore që të shpie detyrimisht në proliksitet, në monotoni, zverdhje, përgjumje e mërzi leximi.

Pyetjes së një nxënëseje, a vijnë të gjitha të këqijat nga udhëheqësit politikë të një vendi (?), ju përgjigja: udhëheqësit shtetërorë krijojnë kushtet e përshtatshme ‘klimaterike‘; ajo që lulëzon e merr hov është ajo që kemi në shpirt, në edukatë, në ndërgjegje: gatishmëria jonë për t’u sjellë me njeri-tjetrin e me mjedisin ashtu si sillemi.

(p.s: Në fund, pati disa duartrokitje dhe fjalë të mira si: do të donim t’u kishim përsëri këtu, si dhe, nuk të paskan vënë përfund vitet, problemet, zhgënjimet).

Latest articles

Related articles