Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe FNAI – Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali, organizuan në Brescia, Itali, në datë 26 Tetor, Konferencën me temë: “Çamëria nga kujtesa tek e drejta ndërkombëtare”.
Mes dhjetra bashkëatdhetarëve, veprimtarëve kombëtarë, përfaqësuesve të njohur të shqiptarëve në Itali dhe në diasporë, referuan ish ambasadorë, studiues dhe shkrimtarë të mirënjohur, si rrallëkush të dimensionuar me jetën e tyre vetiake prej intelektuali tribun në tragjedinë e kombit shqiptar:
Akademik Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, ambasador dhe ish-zv. Ministër i Jashtëm, shkrimtari, publicisti dhe ambasadori Luan Rama, Prof. Dr. Marenglen Kasmi, historiani Hajredin Isufi, shkrimtari dhe studiuesi Enver Kushi.
Në fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes Presidenti i FINAI-t, Granit Muçaj tha se nuk ka të ardhme pa kujtesë dhe drejtësi pa të vërtetën. Çështjet kombëtare janë edhe çështje të diasporës. Çështja çame është një nga faqet më të dhimbshme në historinë tonë kombëtare, për fat të keq ende e pazgjidhuar. Ne si FNAI ndiejmë detyrimin të japim kontributin tonë për këtë çështje. Falenderoj Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, dhe drejtuesin e saj, zotin Alket Veliu, për këtë bashkëpunim dhe për misionin e madh dhe të vështirë. Zoti Muçaj, falenderoi për pjesëmarrjen edhe Konsullin e përgjithshëm të Shqipërisë në Milano, znj. Anila Pojani, zv. rektorin e universitetit të Breshias,dhe disa veprimtarë të njohur kombëtarë dhe aktivistë të FNAI-t.
Konsulle e pergjithshme e Shqiperise ne Milano, Dr. Anila Pojani tha mes të tjerash: Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë konferencë, ku mblidhen përfaqësues të dijes dhe diplomacisë shqiptare.Tema e kësaj konference ka domethënie të madhe, sepse lidhet me Çamërinë. Çamëria është pjesë e historisë sonë, që ka nevojë për një trajtim të thellë dhe profesional. Këto aktivitete kanë rëndësi sepse nxisin dialogon dhe shkëmbimin e ideve.
Studiuesi arbëresh Tomasso Ferrari, bashkëpunëtor dhe mik i afërt me të ndjerin, etnografin dhe studiuesin e mirënjohur At Antonio Belushi, anëtar i Bibliotekës së vyer që ai ka lënë, e filloi ligjëratën e tij me një sentencë të njohur: “Më mirë të dish se të kesh”. At Antonio Belushi ishte si vëlla me mua. Në librin “Arbërorët një popull i padukshëm” Belushi thotë se ndër arvanitasit e Greqisë – arbërorët, siç ata e quajnë veten – ka hasur në 900 katunde me origjinë shqiptare. Janë katër katunde me emigrantë nga Çamëria që jetojnë në Kalabri. Çamërinë na e dha neve Blioteka Bellushi, tha studiuesi arbëresh Tomasso Ferrari.
Dëshmitari okular, i mbijetuari i gjenocidit, historiani dhe studiuesi Hajredin Isufi tha se “Çështja e gjenocidit nuk ishte diçka spontane. Shpërngulja e popullsisë çame, spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një platformë politike e qeverisë greke. Qeveria greke synonte që në territorin e saj që fitoi pas vitit 1912-1913 të mos kishte të huaj nga feja dhe nga kombësia dhe deshi të krijonte një shtet homogjen. Historia e masakrave greke ndaj popullsisë çame duhet parë në një aspekt shumë të rëndësishëm. Pyetja e parë që duhet të bëjë një studiues është: pse shqiptarët e Çamërisë u masakruan që nga viti 1913 deri në vitin 1940 në këtë mënyrë? Duke folur për arsyen e armiqësisë së grekëve ndaj çamëve Isufi tha se shqiptarët kishin një kombësi tjetër, flisnin një gjuhë tjetër dhe kishin një fe tjetër.
Pëllumb Xhufi referoi temën: Çështja çame dhe shteti shqiptar. Çështja çame është çështja që ka dalë në krye të listës pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Është ora historike për ta kuptuar përfundimisht këtë gjë. Problemi i tërërsisë territoriale apo copëtimit të trojeve shqiptare është një problem i vjetër. Nga mesi shek. të XIX vendet fqinje kishin përpunuar platformat e tyre nacionaliste për shpërnguljen e shqiptarëve. Projekti serb “Naçertania” i Ilia Garashaninit dhe “Megali Ideja” e greke, e Jani Koletit, që përfshinin në kufijtë e Serbisë dhe Greqisë së madhe edhe tokat shqiptare. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin mes Greqisë dhe Serbisë.
Në vitet ’20-’30 nga tribuna e Lidhjes së Kombeve, shteti shqiptar ngriti vazhdimisht problemin e mbrojtjes së të drejtave kombëtare e civile të minoritetit çam në Greqi. Nën trysninë shqiptare, edhe pse Kushtetuta greke nuk e njihte ekzistencën e minoriteteve, Kryeministri Venizellos u detyrua të krijojë një organizëm të veçantë, Komitetin për Minoritetet në varësi të drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit, i cili duhej të ndiqte gjendjen e minoriteteve, e në këtë kuadër edhe të minoritetit çam në Greqi. Çështja çame u ndërkombëtarizua falë qëndrimit intrazigjent të qeverisë shqiptare, dhe gjithnjë nën presionin e saj, qeveria greke u detyrua të hapë edhe shkollat e para shqipe në Çamëri.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ndodhej në një pozitë të vështirë për shkak të interesave të fuqive të mëdha dhe pretendimeve territoriale të fqinjëve të saj.
Reshtimi në frontin lindor dhe mungesa e marrëdhënieve me Greqinë, bëri që kjo çështje të mos ishte në diskutim për shumë vite. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të tensionuara për shumë kohë dhe kjo çështje u përdor politikisht. Me gjithë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në 1970, pala greke evitoi kontaktet politike mes dy palëve.
“Çështja çame si çështje të tjera me Greqinë, si ai i ligjit të luftës, i njohjes së kufirit, i kthimit të pronave qytetarëve shqiptarë i bllokuar me ligjin e 1940-ës, mbetën të gjitha çështje të patrajtuara me liderët e Athinës”.
Kushtet pas vitit 1990 kanë ndryshuar – vijoi historiani. Krijimi i shoqatës Çamëria solli një sensibilizim të opinionit shqiptar dhe presion pozitiv mbi qeverinë. Kur qeveritë shqiptare janë në aksion realizohen edhe gjëra. Nuk është e lehtë edhe për Athinën zyrtare të mbrojë tezën e saj për Çështjen çame, siç e sheh ajo, apo të mohojë Ligjin e luftës. Duke njohur Shqipërinë si vend me të cilin është në gjendje lufte, ajo nuk njeh as kufijtë e Shqipërisë. Problemet ngelen të ngrira.
Pas hyrjes së Shqipërisë në BE, kur edhe BE do bëjë reformën e saj dhe të krijohen kushte barazie reale mes Shqipërisë dhe Greqisë, atëhere çështja çame do të ketë perspektivë zgjidhjeje të sigurtë.
Shkrimtari dhe studiuesi Enver Kushi tha se “Popujt kanë kodet e tyre të mirëkuptimit. Çamët dhe grekët, apo dhe vllehët, që kanë jetuar në Epir, kanë ditur që përtej ndasive të propoganduara nga mendje të çoroditura, të shkonin mirë me njeri-tjetrin. Historiani i njohur Hajredin Isufi, është marrë gjerësisht me këtë temë, pra të marrëdhënieve te mira mes çamëve, grekëve dhe vllehëve në Çamëri. Ka ardhur koha, që t’i ringjallim këto marrëdhënie, sepse jetojmë në një kohë tjetër, ku miqësitë dhe jo armiqësitë, lidhjet dhe jo muret ndarëse, janë ato që na bashkojnë.
Ambasadori, studiuesi dhe shkrimtari Luan Rama trajtoi temën “Historia e Çamërisë nuk mund të zhbehet nga tentativat negativiste të greqisë së sotme”. Edhe kur historitë janë shkruar nga kronistë të vërtetë, kjo lloj historie kthehet në një makth të vërtetë për politikanët, tha zoti Rama. Shumë krime janë kryer ndaj shqiptarëve të Çamërisë, shumë kërkesa i janë bërë qeversië greke të kërkojë falje, por Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionin e saj. Negacionizëm do të thotë të mohosh një realitet historik. Greqia në rastin e Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj konventave kundër gjenocidit. Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e gjenocidit. Shembulli i Greqisë “demokratike është mëse i turpshëm.


