Të heqësh dorë nga diçka që do shumë është e vështirë. Të heqësh dorë në pikën kulmore të shkëlqimit tënd, është njëherazi edhe drama më e madhe, por edhe guxim që mund ta kthejë shkrimtarin në një “mit” të vërtetë letrar. Në vitin 1960 kur letërsia botërore, po përjetonte një periudhë sërish prej ari, me autorë si Ernesto Sabato, Albert Kamy, Zhan Pol Sartër, Samuel Beket, Ernest Heminguej, William Folkner, Borghes etj në SHBA botohet një novelë me titullin e çuditshëm “Të vrasësh zogun përqeshës” të autores Harper Lee. Roman që ra menjëherë në sy për stilin tërheqës, thjeshtësinë në të shkruar dhe orgjinalitetin. Libri fitoi çmimin Pulitzer dhe u bë best seller. Që nga ajo datë Harper Lee filloi “agjerimin” 55 vjeçar. Në vitin 2015, një vit para se të vdiste, ajo botoi librin e dytë dhe të fundit me titullin “Shko vër një rojë”. Diçka e bukur, e pritur me kureshtje, por kurrësesi në nivelin e librit të parë. Diçka kishte ndodhur me Harper Lee në 55 vite. Askush nuk e dinte pse kishte heshtur dhe pse pati vendosur të rikthehej?!
Në vitin 1963 Huan Rulfo boton librin e tij të dytë dhe të fundit “Pedro Paramo”. Libri i parë me tregime të shkurtra “Rrafshnalta në flakë” që ai e shkroi 33 vjeç, shiti mbi 40 milion kopje në territoret hispanike. Ndërsa Pedro Paramo e bëri legjendë në gjithë botën. Një roman i pangjashëm me asgjë që qarkullonte si letërsi. Një strukturë pa rend, pa kohë dhe një stil lakonik në kërkim të paradokseve logjike të maskuara me thjeshtësi gjuhësore. Që nga botimi i këtij romani shumë legjenda u ngritën për Rulfon. Por diçka është e sigurtë, ai nuk botoi asgjë tjetër. Ekzistoi thjeshtë si mit letrar, letërsia e tij magjike dhe gjithkush pyeti me të drejtë, ku shkoi talenti i tij?
Ky fenomen, pra i shfaqjes, shkëlqimit dhe heshtjes, është i njohur edhe për letërsinë shqipe. Rasti më i njohur padyshim është ai i Lasgush Poradecit. Në vitin 1933 Poradeci botonte librin me poezi “Vallja e Yjeve”. Në vitin 1937 boton ciklin e dytë me poezi “Ylli i zemrës”. Pastaj heshtje. Heshtje deri në vdekje. 50 vjet pa botuar asgjë. Shpjegimi më i mirë për këtë heshtje është ardhja e komunistëve në pushtet dhe instalimi i metodës Soc realiste në arte, por e pashpjegueshme mbetet periudha nga viti 1937 deri në 1945. Nuk janë pak, por 8 vjet. Të mjaftueshëm për të nxjerrë një libër. Dikush mund ta shpjegojë këtë heshtje me situatën e trazuar politike, pushtimin italian dhe Luftën e Dytë botërore. Megjithatë më tepër se këto shkaqe, duket si një tërheqje me vetëdije, si për të thënë, unë çfarë bëra- bëra, ju po deshët provoni të më mbërrini.
Pas viteve 90’, dy ndër disa emrat më interesantë të poezisë shqipe janë pa diskutim Ervin Hatibi dhe Rudian Zekthi. Në moshën 14 vjeçare Hatibi boton vëllimin poetik “Përditë shoh qiellin” parathënien e të cilit e shkruan Ismail Kadare që parashikon me të drejtë se letërsisë shqipe i ka ardhur një talent i madh. Në vitin 1995 Hatibi boton një nga librat më të mirë poetikë të letërsisë shqipe me titullin “Gjashta maç”. Një poezi e re për letërsinë tonë, me imazhe të forta, që pasqyrojnë tranzicionin e thellë në dimension së pari shpirtëror e masandaj material të shoqërisë shqiptare. Fiton simpati të madhe. Shumë këngë të suksesshme të muzikës shqiptare krijohen me poezitë e tij. Emri i Hatibit, gati kthehet në legjendë urbane. Për këtë e ndihmon edhe dukja e jashtme, shpirti rebel dhe inteligjenca e mprehtë.
Dhe pas disa botimeve të tjera “Pasqyra e lëndës” 2004 dhe Republik of Albania 2005 kemi pastaj një heshtje. Një rikthim në vitin 2018 me përmbledhjen “Një gjarpër i viteve 60”. Por që u tha se ishte një botim i veprimtarisē së tij publicistike gjatë viteve. Dhe në 2020 kemi rikthimin e e vërtet të tij me botimin “Transkipt nga krevati tjetër” 2020, poezi. Kam folur me shumë njerëz për këtë libër dhe të gjithë thuajse e kanë mbyllur me të njëjtën frazë “Jo, ky nuk është Hatibi i parë, ai që shkruajti “Gjashtën maç”. Stili është aty, gjuha po ashtu, veçse lënda është me nuanca artificiale. Dhe “shumë e pjekur”. Se ka më atë shijen e athët të gjakut.
Ndërsa Zekthi pas botimit të librit “Poezi Panair” 2011 një libër monument, e mbyll njëherë e mirë me poezinë. Poeti i errët, i një poezie thellësisht të mbyllur, me metafora të ngritura mbi kode thuajse alternative gjuhe. Kam pasur fatin, kur e kam takuar, ta pyes se përse nuk shkruan më poezi dhe përgjigjia qe shumë e qartë “ sikur nuk ka kuptim të bësh tërë jetën të njëjtën gjë, as të shkruash poezi”. S’dija çfarë t’ i thoja më pastaj sepse ishte hera e parë që më dukej kaq i kollajtë për t’u kuptuar…


