PANG CHUNXUE
Më 25 tetor të vitit 1971, në Sesionin e 26 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u miratua me shumicë dërrmuese votash Rezoluta 2758, duke rikthyer të gjitha të drejtat e Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe duke njohur përfaqësuesit e qeverisë së Republikës Popullore të Kinës si përfaqësuesit e vetëm legjitimë të Kinës në OKB. Populli kinez, i cili përbën një të katërtën e popullsisë së botës, u rikthye në skenën e Kombeve të Bashkuara.
Rikthimi i vendit legjitim të Kinës në Kombet e Bashkuara ka një domethënie të madhe dhe të thellë si për Kinën, ashtu edhe për botën. Kjo ishte një fitore e madhe e arritur nga Kina dhe shumë vende në zhvillim pas një beteje të gjatë, ishte një pikë kthese historike në luftën e forcave të komunitetit ndërkombëtar, që duan drejtësi kundër hegjemonisë dhe politikës së diktatit. Kthimi i Kinës në familjen ndërkombëtare dhe pjesëmarrja e saj e gjithanshme dhe e thellë në punët e Kombeve të Bashkuara ka ndryshuar raportin e forcave brenda OKB-së dhe ka rritur përfaqësimin dhe të drejtën e fjalës së vendeve si një bashkësi.
Rezoluta 2758 ia ktheu Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës të drejtën e përfaqësimit dhe vendin në OKB të të gjithë Kinës përfshirë Tajvanin, duke i dhënë një zgjidhje të plotë e shteruese nga aspekti politik, juridik e procedural çështjes së përfaqësimit të të gjithë Kinës, përfshirë Tajvanin në Kombet e Bashkuara, bëri të qartë se në botë ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Që atëherë parimi i një Kine është bërë një konsensus i gjerë në komunitetin ndërkombëtar dhe një normë themelore e respektuar gjerësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se nuk ekziston problemi i “dy Kinave” apo “një Kinë, një Tajvan”.
Duke qenë propozuese kryesore e projektrezolutës së paraqitur nga Shqipëria dhe Algjeria, Shqipëria ka dhënë kontribut historik në rikthimin e vendit legjitim të Kinës në Kombet e Bashkuara. Shqipëria ishte gjithashtu një nga vendet e para që njohu dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, ka mbështetur në vazhdimësi me vendosmëri parimin e një Kine dhe ka mbrojtur autoritetin e Rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kina është vend që e vlerëson miqësinë dhe ne gjithmonë e kemi mbajtur në mendje aktin e drejtë të Shqipërisë në atë kohë. Kina gjithashtu është vend që vlerëson traditën dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të çojmë përpara miqësinë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë në epokën e re.
Aktualisht, qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së po përballen me sulme, Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm po përparon me ritme të ngadalta, ndërkohë unilateralizmi dhe proteksionizmi janë në rritje. Presidenti kinez Xi Jinping, bazuar në analizën dhe kuptimin e thellë të së ardhmes dhe fateve të njerëzimit dhe tendencave të zhvillimit të kohës, ka propozuar njëra pas tjetrës “Katër Nisma Globale” – Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale, Nismën e Qytetërimit Global dhe Nismën e Qeverisjes Globale – të cilat injektojnë stabilitet dhe siguri në një botë të trazuar, duke demonstruar mençurinë dhe përgjegjësinë e Kinës në çështjet ndërkombëtare. “Katër Nismat Globale” janë në përputhje të plotë me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke formuar një sistem veprimi të bazuar në zhvillim, të garantuar nga siguria, të lidhur nga qytetërimet dhe të koordinuar nga qeverisja, duke i dhënë një shtysë të fuqishme ndërtimit të një bote më të mirë.
Duke reflektuar mbi historinë dhe duke parë drejt së ardhmes, Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKBsë, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e duhur të historisë, në anën e përparimit të njerëzimit dhe në anën e multilateralizmit. Kina do të përmbushë në mënyrë aktive përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, të forcojë koordinimin dhe komunikimin me të gjitha palët, përfshirë Shqipërinë, për të mbrojtur bashkërisht sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, për të zbatuar bashkërisht “Katër Nismat Globale”, duke kontribuar më shumë në paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin botëror, për të ecur krah për krah drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
- Autorja, Ambasadore e Kinës në Shqipëri


