Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij luan një rol të domosdoshëm në zgjidhjen e konflikteve kryesore globale, duke përmendur krizat në Siri, Gaza, Gjirin Persik dhe luftën mes Rusisë e Ukrainës.
Në një intervistë për gazetën Hurriyet, Erdogan theksoi se bota po kalon një periudhë të dhimbshme dhe se luftërat kërcënojnë stabilitetin rajonal.
“Nga Siria në Gaza, nga Gjiri në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës – nuk ka ekuacion pa Turqinë,” u shpreh Erdogan.
Ai shtoi se Turqia sot njihet si një aktor global që eksporton paqe dhe stabilitet.
“Sot ka një Turqi në rajon dhe në botë që njihet për premtimin dhe eksportin e paqes e stabilitetit. Kur flitet për paqe, harmoni dhe stabilitet, Turqia vjen e para në mendje. Kur flitet për dhembshuri, drejtësi dhe humanizëm, ky komb i shenjtëruar ringjallet i pari në mendjet e njerëzve,” deklaroi presidenti turk.
Deklaratat e Erdogan vijnë në një kohë kur raportohet se Izraeli i ka bërë të qartë Shteteve të Bashkuara se prania e trupave turke në një forcë stabilizuese pas lufte në Gaza do të konsiderohej vijë e kuqe për Jerusalemin.


