Një raport ka ngritur shqetësime se Kina dhe Rusia dyshohet se po përdorin gra tërheqëse në operacione të ashtuquajtura “luftë seksuale”, me qëllim joshjen e drejtuesve të kompanive teknologjike amerikane dhe vjedhjen e sekreteve industriale e ushtarake.
Sipas The Times of London, burime të industrisë kanë treguar se agjentë të të dy vendeve kanë dërguar gra që shfaqen në SHBA si modele, investitore apo specialiste të teknologjisë, me synimin për të krijuar lidhje personale apo martesa me drejtues të lartë të kompanive.
Një ish-zyrtar amerikan i kundërzbulimit tregoi se kishte hetuar rastin e një gruaje ruse, e cila pas trajnimit në shkolla të “soft power”-it, u shfaq në SHBA si eksperte e kriptovalutave dhe më pas u martua me një inxhinier të një kompanie hapësinore amerikane, pa dijeninë e tij për të kaluarën e saj.
Ekspertët e sigurisë thonë se skenarë të tillë janë më të zakonshëm sesa mendohet dhe përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
“Shfaqen, martohen me objektivin, bëjnë fëmijë dhe mbledhin informacion gjatë gjithë jetës, është e frikshme sa e zakonshme është kjo,” tha ish-zyrtari.
Sipas ekspertit James Mulvenon, SHBA është në disavantazh sepse “ligjërisht dhe kulturalisht, ne nuk e përdorim këtë taktikë. Kjo u jep atyre një avantazh asimetrik në ‘luftën seksuale’.” Ai shton se agjentë rusë dhe kinezë përdorin rrjete sociale si LinkedIn, konkurse startup-esh dhe investime në kapital sipërmarrës për të depërtuar në zemrën e industrisë teknologjike amerikane.
Komiteti për Sigurinë Kombëtare në Kongresin Amerikan ka paralajmëruar se Partia Komuniste Kineze ka kryer më shumë se 60 operacione spiunazhi në SHBA gjatë katër viteve të fundit, ndërsa ish-zyrtarët besojnë se numri real mund të jetë shumë më i lartë.
Ndërkohë, ambasada kineze në Uashington i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si “propagandë të pavërtetë” dhe duke theksuar se zhvillimi teknologjik i Kinës bazohet në talent dhe punë të ndershme, jo në vjedhje.


