Sot, në orën 10:00, ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, hyri në qelinë e tij në burgun parisian të njohur si “La Santé”, që mban emrin e rrugës ku ndodhet (42 rue de la Santé, Paris). Rreth orës 9:40, ai u paraqit aty në prani të bashkëshortes së tij.
«Oh bienvenue Sarkozy !”, bërtitën të burgosurit nga dritaret e qelive të tyre.
Me vete kishte dy libra: “Le Comte de Monte-Cristo” dhe “Pardonnez-leur ils ne savent pas ce qu’ils font”.
Sarkozy do të qëndrojë në një qeli prej 9 m³. Ka të drejtë të dalë në oborrin e tij dy herë në ditë, nga një orë. Gjatë këtyre daljeve do të jetë krejtësisht i vetëm. Kjo për shkak të funksionit të tij të mëparshëm, i cili mund ta ketë detyruar të firmosë vendime ndaj personave që sot mund të kërkojnë hakmarrje. Gjithashtu, ai ka të drejtë për tre takime në javë me familjarët.
Në dhomë do të ketë një shtrat dhe një furnelë për gatim. Me parate e tij, që do të ruhen në drejtori, ka të derjtë të blejë ndonjë radio. Edhe pse ka apeluar vendimin, dhe në pritje mund të mos ishte izoluar, drejtësia e ka parë të arsyeshme ta burgosë menjëherë.
Ai u dënua një muaj më parë në atë që njihet si “procesi libian”, ku dyshohet se fushata e tij elektorale është financuar nga fonde libiane. Në realitet, gjatë procesit kjo nuk u provua kurrë. Duhet theksuar se emri i tij nuk del askund në dokumentet e hetimit. Dy nga ndihmësit e tij janë ata që kanë ndërmarrë veprime të dyshimta (takim me nje të afërt të Kahdafit). Ai u përfshi në proces sepse bëhej fjalë për fushatën e tij elektorale. “Par définition” konsiderohet si pjesë e një “bande” me ndihmësit e tij.
Nuk u provua as perdorimi i fondeve të tilla në fushatë.
Drejtësia franceze nuk i fal raste të tilla. Kujtoj se edhe presidenti Jacques Chirac rrezikoi të dënohej, sepse një nga sekretaret e tij kishte blerë bileta avioni me para në dorë dhe jo me çek.
Fat i madh që standarte të tilla nuk aplikohen në Shqipëri. Nuk e di cili politikan apo pushtetar do të meritonte të ishte jashtë burgut.
Krejt i pafuqishëm pra pavarsisë së drejtësisë, presidenti e priti pak ditë më parë në zyrë,n e tij, ndërsa minstri i Drejtësisë, që dukshëm nuk miratoi vendimin e burgosjes, premtoi sot se do të shkojë ta vizitojë në burg.
E kujtoj Sarkozin si një nga presidentët që u përpoq të vendoste rendin në lagje dhe qytete ku policia nuk guxonte të hynte për shkak të krimit të organizuar. Kjo shkaktoi një valë urrejtjeje që u amplifikua nga ekstremi i majtë, i cili bëri çmos ta diabolizonte, që kur ishte ministër i brendshëm.
Përgjigjja e apelimit mund të vonojë deri në dy muaj. Dëgjoj mjaft juristë që nuk arrijnë të kuptojnë nevojën e kësaj burgosjeje pa ardhur përgjigje e apelit.