Nga Shpëtim Axhami, kreu i PLL
📌 Pas uljes së nivelit të Liqenit të Fierzës, është shfaqur sërish monumenti i Mbretit Zog I në Kukësin e Vjetër – vepër e mjeshtrit të madh Odhise Paskali, e inauguruar më 8 tetor 1932.
Ky monument përbën një pasuri historike e artistike me vlera të jashtëzakonshme kombëtare. Është nder dhe detyrë qytetare që ai të rivendoset në qytetin e Kukësit, si dëshmi e mirënjohjes ndaj Mbretit Zog I dhe historisë së shtetit shqiptar.
Në këtë kuadër, Partia Lëvizja e Legalitetit do t’i drejtohet zyrtarisht Këshillit Bashkiak të Kukësit dhe të gjitha institucioneve vendore përgjegjëse, për të mundësuar rivendosjen e monumentit.
Duke qenë se niveli i ujit në Liqenin e Fierzës është aktualisht i ulët, kjo është një mundësi e çmuar për të ndërhyrë me kujdes: të shpëtohet pidestali, të restaurohet, dhe mbi të të vendoset sërish busti i Mbretit Zog I.
Është e qartë se ky monument është qëllimisht lënë të përmbytet nga regjimi komunist, si pjesë e fshirjes së kujtesës historike të Mbretërisë Shqiptare.
Sot, është koha që kjo padrejtësi të ndreqet dhe historia të marrë vendin e saj të merituar në zemrën e Kukësit!
🇦🇱 Nder dhe lavdi Mbretit Zog I!
