Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK: Hetoni kryebashkiaken socialiste të Lushnjës

spot_img
Advertisements

Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar SPAK që të hetojë kryetaren e Bashkisë së Lushnjës, socialisten Eriselda Sefa, si e dyshuar për konsumimin e dy veprave penale. Për të, është bërë kallëzim penal nga një shtetas me inciale A.H.

Burime për gazetarin e Ora News, Edison Vatnikaj bëjnë me dije se qytetari A.H i ka paraqitur Prokurorisë së Posaçme kallëzimin penal ndaj Eriselda Sefës për dy vepra penale; konkretisht “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

SPAK fillimisht e ka regjistruar kallëzimin, por pasi ka shqyrtuar aktet e dosjes e ka dërguar atë në Gjykatën e Posaçme për mosfillim të hetimeve. Këtë ka bërë dhe GJKKO, duke vendosur në favor të kërkesë së Prokurorisë, për mosfillim të hetimeve dhe arkivim të rastit.

Mirëpo, qytetari me iniciale A.H nuk e ka pranuar këtë vendim dhe ka bërë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit, duke paraqitur fakte të reja në lidhje me dy akuzat ndaj kryetares së Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa.

Ai e akuzon kryebashkiaken në lidhje me një procedurë të ndjekur nga Bashkia Lushnjë për dhënien me qira të pasurisë publike, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga Këshilli Bashkiak dhe kryetarja Eriselda Sefa.

Kallëzuesi pretendon se ka pasur falsifikime në shkresë si dëgjesa publike, ashtu edhe në projektin për miratimin e dhënies me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.

Ndërkohë përsa i përket akuzës së dytë për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, konsiston se SPAK i ka kërkuar Bashkisë Lushnjë të gjithë praktikën e dhënies me qira të ambientit, por kryetarja Eriselda Sefa nuk ia ka dërguar të plotë.

Sipas kallëzuesit, kryetarja e Bashkisë Lushnjë nuk i ka dërguar Prokurorisë së Posaçme qëllimisht dy shkresa (dëgjesën publike dhe projektin e miratimit të qirasë), pasi janë tepër të rëndësishme dhe hedhin dritë mbi faktin penal për procedurën e falsifikuar.

“Kryetarja e Bashkisë Lushnje duke mos ia dërguar SPAK-ut të gjithë praktikën e plotë, del qartë se e ka bërë me qëllimin e vetëm atë të fshehjes së veprimtarisë kriminale në vitin 2022”, thuhet nga kallëzuesi A.H.

Në këto kushte, Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të hetojë kryebashkiaken socialiste të Lushnjës, Eriselda Sefa, si e dyshuar për kryerjen e disa veprave penale, ndryshe nga Shkalla e Parë që vendosi mosfillim të hetimeve.

Latest articles

Related articles