NGA BERAT BUZHALA
Çka po ndodh në Shqipëri në mes të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit, njëri biznesmen super i njohur kurse njëri – biznesmen i suksesshëm, jo edhe aq i njohur për shkak se ka qëndruar larg mediave. Por jo edhe javën e fundit, ose dy javët e fundit ku emri i tij po përmendet barazi me Behgjet Pacolli.
Qe afro një javë, mediat në Shqipëri kane filluar të raportojnë se për projektin e aeroportit të Vlorës, Prokuroria shqiptare ka filluar hetime kundër Pacollit.
Në fillim, këto lajme u publikuan nëpër disa portale që nuk kanë shumë emër kurse ditëve të fundit lajmet arritën edhe në portalet kryesore të Shqipërisë.
Së fundmi, djalli doli prej shishes. Behgjet Pacolli i njohur si Baci, e humbi durimin në 24 orët e fundit dhe vendosi që aludimeve të mediave të Shqipërisë, t’u përgjigjet personalisht përmes profilit të tij.
Do të thoja se kjo nuk është forma më e mirë sepse po duket pak formë emocionale, e ngutshme. Për t’ia rënduar vetes pozitën, ai mbrëmë e pati në konak Çim Pekën dhe ai paralajmëroi serial si ‘Netflix’.
Duket që Baci duke u rrëfyer te Çim Peka, për dramën rreth Aeroportit të Vlorës, e ka prekur butonin nuklear, duke çuar veten në ajër e mundësisht edhe një pjesë të qeverisë shqiptare.
Përvoja e rrëfimit te Çimi i Arben Ahmetit, që është intervistuar me sezone në ‘Syri’ – dukej si rrëfim i njohur.
Çimi dhe TV Syri janë hapi i fundit që një politikan anti-Rama, e prekë këtë pullën në dinamitin që mban në gjoks. Sigurisht, unë jam panelist i rregullt te Çim Peka, por unë s’kam ambicie të marr projekte te Edi Rama.
Me gjasë dikush i ka thënë Bacit se me takimin me Çimin, është futur në një rrugë pa kthim, prandaj pasdite ai e bëri një postim ku tregoi që takimi ishte miqësor.
Gjatë takimit, tha Baci, se i ka treguar Çimit se çka po ndodhë në Aeroportin e Vlorës, pse po e sulmojnë, por aty tha se nuk kanë biseduar për Edi Ramën. Meqë nënvizimi i kësaj fjalie, e tregonte ndoshta thelbin e problemit, Baci më vonë e bëri edit këtë pjesë të postimit.
Çka është esenca e problemit?
Para disa viteve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, kanë bërë një partneritet për ta marrë me koncesion ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Në letra, Behgjet Pacolli ka qenë pothuajse aksionar i vetëm dhe Valon Ademi i paska pasë 2%.
Por me gjasë, paskan qenë edhe një palë letra të tjera, që thonë se Valon Ademi ka aksione pothuajse sa Pacolli, rreth 48-49. E këtë e thotë edhe një vendim i gjykatës. Pacolli po dyshon që dikush brenda ekipit të tij, është korruptu dhe ia ka nënshkru këto aksione Valon Ademit, mirëpo kampi i Valon Ademit thotë se një dokument të tillë e ka nënshkruar edhe vetë Pacolli para noterit.
Kur filluan të dalin shkrime në publik, Pacolli dhe ekipi i tij në Llugano, në një mbledhje të rrufeshme, e shkarkuan Valon Llukën, një bashkëpunëtor prej 25 vitesh.
Ekipi në Llugano tha se për aksione të kompanise, mund të vendosë vetëm ai Bordi e askush tjetër.
Pas gjithë këtyre spekulimeve, është vënë në lëvizje edhe SPAK, që është omni-potent dhe omni-prezent për çdo gjë që ndodhë në Shqipëri.
Thuhet se në prokurori, kanë dhënë dëshmi shumë persona që janë të përfshirë në këtë projekt.
Si çdo herë, kur ka shumë polemika mediat në Shqipëri, kanë filluar ta akuzojnë Pacollin për lidhje me Rusinë dhe se kinse ai e ka larguar Valon Ademin në mënyrë që Aeroportin t’ua jap rusëve.
Unë personalisht nuk iu besoj shumë konspiracioneve e as idesë që Pacolli është njeri i Rusisë. Tash e 20 vjet, Pacollin e kam pa në komunikime të ngushta me amerikanët e jo me rusë. Nëse ka ndonjë bashkëpunim qysh po thonë, ai mund të jetë puro biznes. Ky është vetëm hamendësim i imi.
Për gjithë këto zhvillime, punimet në Aeroportin e Vlorës nuk kanë përfunduar ende ani pse Pacolli dhe Ademi i kanë pasë sektorët e ndamë se çka të punojë njëri e cka tjetri.
Thuhet se Pacolli që në krye të herës, ka qenë i pakënaqur me Belinda Ballukun që është numri dy i Ramës, kurse për vetë Ramën, Pacolli nuk i ka kursyer kurrë komplimentet.
Burimet thonë se edhe Rama është i irrituar me zhvillimet e fundit në Aeroportin e Vlorës.
Para disa ditësh, mediat në Shqipëri, publikuan një video ku shihej Pacolli duke hyrë e duke dalë nga Kryeministria. Pacolli pati thënë se takimi ishte fantastik, kurse mediat raportuan se ishte skandaloz.
Duket se kjo javë do të shpenzohet në Shqipëri, duke diskutuar për këto telashe mes dy biznesmenëve tonë.