Arrestimi i avokatit skicoi Shqipërinë autoritare ?| ANALIZA

spot_img
Advertisements

Nga Reldar Dedaj

Edi Rama është shndërruar në simbol të një politike të prapambetur, të padijshme dhe të korruptuar. Gjatë kësaj kohe, ai nuk ka arritur të ndërtojë një vizion të qartë zhvillimi apo institucione të forta, por ka konsoliduar një sistem ku pushteti dhe kontrolli mbi shtetin kanë më shumë rëndësi se interesat e qytetarëve. Përpjekjet për demokraci dhe votë të lirë shpesh pengohen ose deformohen; vota qytetare humbet vlerën e saj reale, duke u kthyer në mjet manipulimi dhe jo instrument të vullnetit të lirë.

Nën drejtimin e tij, institucionet janë bërë të brishta, kriza politike e ekonomike është e vazhdueshme dhe korrupsioni vazhdon e riciklohet sistematikisht. Lidhjet e qeverisjes me krimin dhe organizatat kriminale janë të prekshme, duke zbehur çdo mundësi për një shtet që funksionon normalisht. Diferencat brenda partisë së tij janë të parëndësishme, pasi çdo veprim politik kalon nëpër filtrin e liderit dhe çdo strukturë e mazhorancës i nënshtrohet urdhrave të tij.

Ky model politik ka ndikim të madh edhe tek të rinjtë, të cilët mësojnë shpejt ligjet e fshehta të pushtetit të Edi Ramës: manipulimin, gënjeshtrat dhe pazaret. Sjellja amorale riprodhohet brez pas brezi, duke forcuar një cikël të pandërprerë ku klientelizmi dhe korrupsioni bëhen normë. Pas dy dekadash, Edi Rama e ka kthyer shtetin në mjet të interesave të tij personale, duke e çuar demokracinë dhe institucionet shqiptare në një krizë të thellë besimi dhe funksionimi.

Veprimet dhe sjelljet e tij tregojnë qartë se pushteti është i përqendruar tek individi, duke shkatërruar përfundimisht balancën e institucioneve dhe mekanizmat që e mbajnë gjallë demokracinë. Regjimet autoritare moderne nuk përdorin më dhunën brutale të diktaturave klasike; ato funksionojnë brenda një rendi formalisht demokratik, duke përdorur mjete të sofistikuara për të kontrolluar sistemin politik, ekonomik dhe drejtësinë.

Në këtë kontekst, Shqipëria po përjeton një lloj diktature moderne, ku demokracia ekziston vetëm në formë. Një nga shenjat më të forta të këtij autoritarizmi është shkatërrimi i konkurrencës ekonomike. Monopole të krijuara me vendime arbitrare, shpërndarja e fondeve dhe kontratave tek një grup i vogël individësh të lidhur me pushtetin dhe eliminimi i çdo konkurrence reale tregojnë qartë se ekonomia përdoret si instrument kontrolli.

Po ashtu, institucionet që duhet të krijojnë balancën e pushtetit janë eliminuar ose neutralizuar. Parlamenti kontrollohet totalisht nga kryeministri dhe partia e tij, bashkitë e vendit veprojnë nën direktivat e ekzekutivit. Çdo institucion që mund të ofrojë kontroll mbi pushtetin është shndërruar në instrument përforcues të tij. Një centralizim i tillë i pushtetit është reflektuar qartë edhe në sistemin e drejtësisë.

Rasti i fundit i një avokati, i arrestuar pas një seance gjyqësore, është shembulli më i freskët i skicimit të autoritarizmit në vend. Avokati, në mbrojtje të klientit të tij, kishte akuzuar prokurorin dhe oficerin e policisë gjyqësore për manipulim të provave, duke paralajmëruar ndjekjen e tyre penale. Menjëherë pas seancës, ai u thirr në polici dhe u arrestua, me akuzën absurde se kishte kërcënuar prokurorin.

Autoritarizmi i një regjimi nuk mbaron këtu; ai shkon më thellë dhe më brutal. Për ta mbuluar këtë arbitraritet, prokuroria shpërndau një audio të redaktuar të seancës, duke e paraqitur si paralajmërim ligjor për ndjekje penale dhe, po ashtu, si kërcënim fizik. Kjo nuk është vetëm fryt i arrogancës individuale të një prokurori apo gjyqtari, por pasojë e një sistemi dhe kulture të re brenda drejtësisë, e cila përkrahet nga kryeministri dhe shpërhapet edhe tek prokuroritë e rretheve.

Ky autoritarizëm, që çdo ditë skicohet më qartë, prek drejtpërdrejt qytetarët, duke krijuar një klimë mbytëse, pa mundësi ankese apo mbrojtjeje, ku fatet e tyre hidhen si në një lojë zarash. Në këtë mënyrë, regjimi i Edi Ramës nuk mbështetet vetëm tek kontrolli i institucioneve politike dhe ekonomike, por edhe tek kapja e sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunimi me organizata kriminale në vend.

Rezultati është një sistem i paprekshëm, ku çdo mekanizëm kontrollues është neutralizuar dhe çdo zë kritik është marginalizuar. Shqipëria nuk përballet më vetëm me probleme politike apo ekonomike; ajo përballet me një deformim sistematik të demokracisë dhe konsolidimin e një pushteti të pakontrollueshëm.

Latest articles

Related articles