Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë persona, mes tyre tre zyrtarë të Policisë Rrugore të Tiranës dhe dy qytetarë, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv në lidhje me një ngjarje rrugore të ndodhur në prill të këtij viti.
Sipas SPAK, zyrtarët dyshohet se kanë marrë para në mënyrë të paligjshme për të shmangur arrestimin e një shtetaseje të përfshirë në aksident, ndërsa dy civilët kanë vepruar për të ndërmjetësuar dhe dorëzuar shumën e kërkuar.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.
Njoftimi i SPAK
SPAK dërgon për gjykim tre punonjës të Policisë Rrugore dhe dy shtetas për korrupsion aktiv dhe pasiv
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal, nr.91/1 të vitit 2023, në ngarkim të pesë të pandehurve, të akuzuar për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të organeve të drejtësisë, të parashikuara nga nenet 319, 319/ç dhe 25 të Kodit Penal.
Të pandehurit
Roven Zeka, me detyrë Shef Komisariati në Komisariatin e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.
Sokol Novaku, me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë Rrugore, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.
Edison Tabaku, Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 i Kodit Penal.
Ergest Vrioni, shtetas i akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.
Bledi Belba, shtetas i akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 i Kodit Penal.
Rrethanat e faktit
Nga hetimet ka rezultuar se më datë 16 prill 2025, pas një aksidenti rrugor që ka ndodhur në në orën 07:30, në Tiranë, janë përfshirë dy mjete, njëri i drejtuar nga shtetasja, Anisa Vrioni dhe tjetri nga shtetasi Andri Koçi. Personat që ndodheshin në mjetin e drejtuar nga ky i fundit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Shtetasja Anisa Vrioni është shoqëruar në orën 10:00 në Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, duke u lënë e lirë në orën 13:00. Pas kësaj, ajo është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Veprimet hetimore në lidhje me këtë rast janë kryer nga i pandehuri Edison Tabaku, i cili kishte njohje të hershme me bashkëshortin e Anisës, të pandehurin Ergest Vrioni.
I pandehuri Edison Tabaku, ka kërkuar dhe ka marrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga i pandehuri, Ergest Vrioni shumën e parave prej dyqind mijë lekësh. I pandehuri Edison Tabaku në kërkimin dhe marrjen e kësaj shumë ka vepruar në bashkëpunim me dy eprorët e tij, të pandehurit Roven Zeka dhe Sokol Novaku, të cilët e kanë kërkuar dhe marrë këtë shumë parash, me qëllim mosarrestimin e shtetases Anisa Vrioni. Bledi Belba ka ndërhyrë tek Roven Zeka dhe e ka ndihmuar Ergestin me shumën prej 1000 eurosh, për t’ia kaluar të pandehurve, me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij