Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për aferën e Bankers Petroleum, që tashmë po hetohet nga SPAK, me dyshimet e organizatës së strukturuar kriminale.
Lala tha se dy persona që dyshohen si të përfshirë në aferë, janë një ish ministër i qeverive “Rama 1” dhe “Rama 2” si edhe një deputet aktual i Kuvendit të Shqipërisë nga rradhët e socialistëve.
“Në dosjen e prokurorisë së Fierit, rezulton një ish ministër i kohës së Ramës në qeveritë “Rama 1” dhe “Rama 2”, që rezulton i përfshirë dhe një deputet i Kuvendit në rradhët e socialistëve, që rezulton person i referuar si i përfshirë në aferën Bankers. Pra këta janë referuar si të përfshirë në disa vepra penale.
Momenti i dytë, janë pesë gjyqtarë dhe prokurorë, që kanë patur çështje të Bankers dhe dyshohet se kanë marrë vendime për arsye korruptive. Ka edhe zyrtarë të tatimeve, po verifikohen nëse kanë patur rol për shmangien e tatimeve, që kompania të dilte me humbje. Këto janë fushat e veprimit ku është ndalur Prokuroria e Posaçme. Janë bërë shumë përgjime, gama e personave të hetuar do të jetë shumë e madhe. SPAK ende nuk i ka thirrur personat, deklaroi Lala.