Prej dy ditësh, Parlamenti ka rihapur zyrtarisht garën për Avokatin e Popullit – një post që vazhdon të mbahet përtej mandatit kushtetues nga Erinda Ballanca, e propozuar dhe miratuar dikur si kandidate e opozitës.
Edhe pse për zgjedhjen e Avokatit të Popullit kërkohet shumicë e cilësuar, Partia Socialiste ende nuk ka dalë publikisht me një emër zyrtar.
Megjithatë, gazetari Arsen Rusta i Ueblajm mëson se nuk do të mungojë mbështetja për Etilda Gjonaj, ish-ministre e Drejtësisë. Zonja Gjonaj nuk arriti të sigurojë një mandat deputeti në zgjedhjet e fundit nga lista e hapur në qarkun e Tiranës dhe aktualisht ndodhet jashtë Parlamentit.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë deklaruar se opozita mbështet kandidaturën e Besim Ndregjonit. Tradicionalisht, ky post është konsideruar si një mandat i opozitës, por këtë herë, me shumicën parlamentare aktuale, PS mund ta miratojë kandidatin edhe e vetme, pa konsensus.
Jozyrtarisht, qarkullojnë zëra se mazhoranca është e gatshme të japë pëlqimin edhe për ish-deputetin demokrat Dashamir Sula, i cili pas përjashtimit nga listat e sigurta të PD-së në qarkun e Elbasanit, u largua nga partia dhe për disa kohë iu bashkua nismës “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.