Vetëm pak kohë pasi Prokuroria e Posaçme mori nga homologët e Fierit dosjen gjigante të “Bankers Petrolium”, dalin detaje për përfshirje në këtë aferë miliardëshe të politikanëve dhe bizneseve të mëdha.
Gazetari Xhevair Zhabina duke folur për nisjen e hetimit nga SPAK për dosjen “Bankers”, veçoi akuzën e organizatës kriminale. Ai tha për “MCN Live” se një akuzë e tillë do të thotë që janë zbuluar disa role të organizatës.
Sipas tij, tani i takon SPAK të shkojë te zyrtarët e lartë dhe biznesmenët që kanë ndihmuar “Bankers” të justifikojë ato fatura, që janë fatura fiktive. Zhabina tha se ka ish-deputetë të këtij parlamenti që kanë faturuar kompaninë “Bankers” në miliona euro dhe në dosje është i përfshirë biznesmeni që zotëron “Bolv Oil”.
“Përveç grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se shkon për organizata kriminale, duket që ky hetim është marrë seriozisht nga SPAK. Hetimi po ndiqet nga prokurorja Anita Jella, jemi ende në fazën që hetimi është regjistruar vetëm mbi veprat penale dhe jo me emrin e personave konkret.
Prokuroria Fier i ka identifikuar disa persona, për ish-administratorin, administratorin, disa zyrtarë të tjerë të kompanisë “Bankers”.
Tani i takon SPAK të shkojë te zyrtarët e lartë dhe biznesmenët që kanë ndihmuar “Bankers” të justifikojë ato fatura, që janë fatura fiktive.
I takon Prokurorisë së Posaçme të vërtetojë nëse këto para kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve të lartë.
SPAK duhet të vërtetojë skemën që është kryer në Patos-Marinëz ndër vite. Organizata kriminale është akuza që më bie në sy, SPAK ka të përcaktuar rolet në këtë aferë, por që i duhet më shumë punë për të shkuar në masa konkrete sigurie.
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për veprat e mëposhtme penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ka pasur plane për të blerë “Bankers” nga një ish-ministër nga Katari, kur dihet që kjo kompani ka probleme me ligjin dhe është me minus miliarda dollarë humbje me vite.
Prokuroria e Fierit ka shkuar deri këtu, tashmë Prokuroria e Posaçme duhet të shkojë më tej se ka banka të përfshira si “Raiffeisen Bank”, biznesmenë të fuqishëm që kanë justifikuar faturat.
Ka ish-deputetë të këtij parlamenti që kanë faturuar kompaninë “Bankers” në miliona euro. A do të shkojë SPAK drejt masave të sigurisë. Në dosje ishin të përfshirë biznesmeni që zotëron “Bolv Oil”.
Prokuroria e Fierit i ka renditur si fakte, i takon SPAK të shkojë përtej se bëhet fjalë për emra shumë të rëndësishëm të politikës, biznesit dhe bankave. Kjo çështje shkon shumë përtej Fierit.
Dukshëm këtu kemi vepra penale shumë të rënda, se Prokuroria Fier i ka hapur rrugë SPAK. Hetimi duhet nisur që nga 2004 ku janë të përfshira disa qeveri.”, tha ai.