Banka e Shqipërisë i trembet flluskës në ndërtim, tentohet frenimi i huadhënies

spot_img
Advertisements

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për të frenuar huadhënien në sektorin e ndërtimit, duke paralajmëruar se rritja e shpejtë e çmimeve të pronave mund të shndërrohet në rrezik për stabilitetin financiar.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se masat e reja synojnë të shmangin përsëritjen e krizës së vitit 2008, kur tregjet e pasurive të paluajtshme shkaktuan kolaps bankar në SHBA dhe ndikuan në gjithë ekonominë botërore.

“Shqetësimi ynë parësor është që tregu i pasurive të paluajtshme të mos ndikojë negativisht në kreditim, siç ndodhi në krizën e 2008-ës. Ne kemi marrë masa parandaluese për të mbrojtur sistemin bankar në rast se çmimet e pronave bien dhe vlera e kolateralit ulet”, deklaroi Sejko.

Sipas një rregulloreje që hyri në fuqi në korrik, Banka e Shqipërisë ka vendosur tavane të reja për kreditë e dhëna nga bankat për blerjen e pasurive të paluajtshme. Kredia në lekë për banesën e parë nuk mund të kalojë 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë apo më shumë kufizohet në 80%. Gjithashtu, këstet mujore nuk duhet të tejkalojnë 40% të të ardhurave të familjes për banesën e parë dhe 35% për të dytën. Për huatë në valutë, raportet përkatëse janë 75% dhe 70% e vlerës së pronës, ndërsa këstet mujore duhet të jenë deri në 35% për banesën e parë dhe 30% për të tjerat.

Guvernatori theksoi se, ndonëse sistemi bankar mbetet i shëndetshëm dhe nën kontroll sa i përket ekspozimit në tregun e pasurive të paluajtshme, rritja e çmimeve të pronave duhet të ndjekë ritmin e rritjes së të ardhurave familjare. “E rëndësishme është që rritja e çmimeve të pronave të shkojë paralel me rritjen e të ardhurave. Përndryshe, krijohet një boshllëk që mund të çojë në flluskë financiare”, nënvizoi Sejko.

Kjo ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë shihet si një sinjal paralajmërues për tregun e ndërtimit, ku kërkesa e lartë dhe kreditimi i shpejtë mund të përkthehen në rritje artificiale të çmimeve dhe më pas në probleme me kthimin e kredive.

Latest articles

Related articles