Kur kanë kaluar 6 muaj nga çelja zyrtare e garës për të zgjedhur emrin e ri të kreut të BKH-së, ora duket sikur ka ndalur dhe gjithçka është në pikën zero.
Ndërsa mbushen 40 ditë nga largimi i Aida Hajnaj, komisioni i posaçëm në SPAK, i përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, presin pa një afat për të vendosur.
Po çfarë presin?
Teksa ata kanë përfunduar në një kohë të shkurtër 6 nga 7 fazat e përzgjedhjes së 13 kandidatëve garues, duke vlerësuar për fazën finale vetëm 7, gjithçka ka ngecur në fazën finale – atë që lidhet me vetting-un. Jo vetëm të kandidatëve, por edhe të rrethit të tyre familjar.
Pra, një vetting ndoshta nga ata që vetë s’janë vetuar kurrë, dhe që do të vendosin për fatin e “FBI-së shqiptare”.
Por përtej kësaj, pyetja që ngrihet është:
Përse Shërbimi Informativ Shtetëror, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar dhe Policia nuk i kthejnë përgjigje Komisionit?
Kush e ka këtë luks e prepotencë juridike, shkresore e administrative për të mos iu përgjigjur SPAK-ut në një garë që është me afate?
Në një kohë kur pritet që me zyrtarizimin e kandidatëve në garën për kreun e SPAK-ut – pasuesi i z. Dumani të dalë brenda pak javësh ose deri më 19 dhjetor 2025 – kreu i BKH-së mbetet peng i letërkëmbimeve apo përgjigjeve të mungura nga SHISH, DSIK, ILDKPI apo Policia.