Rimbursimet fiktive, prokuroria dhe policia mësyjnë te CFO Pharma: Bllokohen kompanitë e Nadir Çaushollit

spot_img
Advertisements

Skandali rimbursimeve fiktive të ilaçeve ka shënuar një zhvillim të fortë.

Prokuroria e Tiranës ka mësyrë në ambientet e kompanisë CFO Pharma duke sekuestruar praktikisht të gjithë inventarin dhe dokumentacionin e rimbursimeve.

Kapitali ka mësuar se aksioni është urdhëruar nga prokurori Ndini Tavani, ndërkohë që ambientet e kompanisë mbahen të rrethuara me forca policie, që prej ditës së djeshme.

ADVERTISEMENT
Një burim i tha Kapitalit se sekuestrimet janë shtrirë dhe në dy kompanitë satelite të CFO Pharmas, Pharma Plus dhe Medyx Albania.

Prokuroria dyshon se të tre kompanitë janë përfshirë në një skemë faturash false dhe shitjes fiktive të barnave me qëllim për të përfituar rimbursime.

Në qendër të hetimit janë veçanërisht dy medikamente që përdoren për sëmundjen e astmës, të quajtur respektivisht Foster dhe Trimbow.

Të dy këto medikamente furnizohen në tregun shqiptar ekskluzivisht nga prodhuesi italian Chiesi.

Por disa muaj më parë, kompania u shtang kur shtiu në dorë shifrat e rimbursimeve në Shqipëri, të cilat rezultonin dukshëm më të larta nga sasitë që kishte furnizuar ajo të dy medikamenteve.

Skandali shpërtheu në publik pas një investigimi të Kapitalit, i cili fillimisht u tentua të përgënjeshtrohej nga CFO Pharma.

Por tashmë çështja ka kaluar përtej raportimit mediatik dhe prokuroria ka sekuestruar ambientet e CFO Pharmas me vendim gjykate.

Skema
Foster dhe Trimbow janë dy medikamente, të cilët përdoren për trajtimin e astmës. Të dy këto barna janë produkte ekskluzive, që do të thotë se kanë vetëm një furnitor në tregun shqiptar, pra kompaninë italiane Chiesi.

Rrjedhimisht shifrat e rimbursimit të këtyre ilaçeve nga FSDKSH duhet të përputhen plotësisht me ato që ka shitur në Shqipëri kompania prodhuese italiane.

Por sipas dokumentave të siguruara nga Kapitali, për periudhën 2021 deri në muajt e parë të këtij viti, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka rimbursuar rreth 20 mijë kuti më shumë të ilaçit Foster pompe se sa ka furnizuar kompania italiane dhe dhjetëra mijë të tjera të ilaçit Trimboë.

Të gjendur përballë këtij skandali, italianët investiguan më tej për të kuptuar se kush po i dëmtonte. Hetimet e tyre zbuluan një skemë gjigande vjedhje me rimbursimet fiktive, në qendër të së cilës qëndron kompania CFO Pharma, dy kompani satelite të saj, Pharma plus dhe Medyx Albania si dhe disa farmaci.

Më konkretisht, Pharma Plus dyshohet se ka deklaruar inventar mbi 3200 kuti Foster dhe Trimbow, pa asnjë blerje të këtyre produkteve. Ndërsa Medyx ka deklaruar mbi 16 mijë kuti pa bërë asnjë blerje.

Pasi i kanë deklaruar fiktivisht në inventaret e tyre këto medikamente, të dyja kompanitë si Pharma Plus ashtu dhe Medyx, dyshohet t’ia kenë shitur po fiktivisht CFO Pharmas dhe zinzhiri i shitjeve fiktive përfundonte në disa farmaci duke vjedhur padrejtësisht paratë e rimbursimeve.

Latest articles

Related articles