Lita: Në Tiranë viktimë janë qytetarët, jo Veliaj apo PS!

spot_img
Advertisements

Analisti Lavdrim Lita, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe proceset ligjore që po e shoqërojnë.

Sipas Litës, situata aktuale e kryeqytetit është e papranueshme dhe qytetarët po mbahen peng nga një proces që është zvarritur prej muajsh. “Nëse do rrimë disa muaj pa kryetar bashkie, do varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por qytetarët nuk mund të presin të zgjidhet fati ligjor i Erion Veliajt. Këtu viktimë janë qytetarët, jo Veliaj apo PS”, u shpreh ai.

Lita theksoi se Veliaj është në izolim prej më shumë se 7 muajsh dhe, sipas tij, nuk ka më asnjë rol real në drejtimin e Bashkisë së Tiranës. “Çdo gjykatë deri më sot e ka mbajtur të izoluar dhe ai de facto nuk e qeveris qytetin. Kryeqyteti nuk mund të merret peng nga një qytetar që mbahet në burgun e Durrësit. Nëse do ishte i përgjegjshëm, do kishte dhënë dorëheqjen”, theksoi analisti.

Sipas tij, Veliaj po përpiqet të përdorë postin për mbrojtje politike, në një kohë kur ndaj tij po zhvillohen hetime të shumta. “Ai po hetohet edhe për raste të tjera dhe ka menduar të ketë mbrojtjen politike e të qenit kryetar bashkie për t’u përballur me gjykatat brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Lita.

Ai përmendi edhe emrin e Arbian Maznikut, ish-zv.kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ish-Ministër i Pushtetit Vendor, duke thënë se mazhoranca po i dërgon sinjale të qarta se nuk do të ofrojë më mbrojtje për askënd. “Mazniku ka qenë ndër njerëzit më të afërt të Veliajt. Marrëdhëniet e tij me drejtorët kanë qenë të ngushta. Është absurde të besohet se krerët nuk dinin që drejtorët vidhnin tenderat. Ky mund të jetë rasti kur nuk ka pasur dijeni, por sinjalet politike janë të qarta.”

Lita tha se rasti i Veliajt është vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa shtoi se ndaj tij po hetohen 5 dosje të tjera nga prokurorë të ndryshëm: “Po hetohet shkolla ‘Sami Frashëri’, Teatri Kombëtar, inceneratorët, dosja ‘5D’ dhe lidhja me Ndranghetën përmes Eco Tiranës. Si do ja dalë ai të përballet me këto dosje dhe njëkohësisht të qeverisë Tiranën?”, u shpreh Lita.

Në përfundim, ai paralajmëroi se përdorimi i Bashkisë si mjet për imunitet nuk mund të zgjasë pafundësisht: “Veliaj mundet vetëm ta përdorë bashkinë për të kërkuar imunitet pafundësisht, por kjo nuk është më e pranueshme për qytetarët dhe as për sistemin e drejtësisë.”

Latest articles

Related articles