Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj thotë se Prokuroria e Posaçme ka ndërtuar një proces politik ndaj tij në rastin e hetimit të dosjes së privatizimit të ndërmarrjes publike “Buka” sha, duke deklaruar se ky qëndrim i SPAK-ut është i tillë se “ai i Madhi e ka kthyer në target”, duke lënë të kuptohet se origjina e goditjes së tij penal është kryeministri Edi Rama.
Ish-numri dy i qeverisë nuk përmend konkretisht “personat e përfshirë”, por, qartësisht, njëri prej tyre është sipërmarrësi Lirim Fezollari, personi që përfitoi nga privatizimi i aseteve të “Buka” sha dhe aktualisht ka ngritur një biznes gjigand, të njohur si “Qendra Tregtare Emerald”, në Tiranë.
Akuzat publike të Ahmetajt janë shumë të rënda, ndaj “Boldnews.al” u interesua për këtë situatë pranë Prokurorisë së Posaçme.
Burime nga institucioni i Akuzës deklaruan se, jo vetëm nuk ka pasur favorizim, por SPAK-u është duke hetuar një transfertë rreth 3 milionë euro, që biznesmeni Lirim Fezollari ka kryer nga Tirana në drejtim të Vjenës.
Në vitin 2022, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin ndaj Ahmetaj për procedurat e privatizimit të ndërmarrjes “Buka” sha gjatë kohës që mbante funksionin e Ministrit të Ekonomisë, ndërkohë që ndaj tij kishte nisur më herët një tjetër procedim penal për “aferën e inceneratorëve”.
Në dosjen “Buka” sha, Ahmetaj u vendos nën hetim për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale (pastrimit të parave). Në këtë hetim janë të përfshirë edhe disa persona të tjerë, mes të cilëve biznesmeni Lirim Fezollari.



